Lajm i mirë për botuesit kosovarë, Komisioni Evropian mbështet përkthimet letrare

Desku i Evropës Kreative në Kosovë, program i Komisionit Evropian do të organizojë nesër, më 25 prill 2019, një takim informues me botuesit kosovarë lidhur me konkursin “Mbështetje për përkthime letrare 2019”.

Takimi do të mbahet në Hotel Sirius duke filluar nga ora 10:00 dhe janë të ftuar të gjithë botuesit e interesuar që merren me veprimtari botuese (përkthime letrare).

Gjatë këtij takimi informues botuesit nga Kosova do të kenë mundësi të njihen në mënyrë të detajuar me udhëzimin për aplikim, formën e aplikimit si dhe detaje të tjera teknike të nevojshme në procesin e aplikimit.

Konkursi “Mbështetje për përkthime letrare 2019” i Evropës Kreative shihet si një mundësi jashtëzakonisht e mirë për botuesit kosovarë.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka pohuar në një prononcim për Kallxo.com se mbështetja për përkthimet nga ky program  është një infuzion i madh për industrinë e librit.

“Pra, për ta vendosur në perspektivë: Vetëm një botues mund të përfitojë aq sa e gjithë Ministria e Kulturës së Kosovës blen ose mbështet libra në botim”, ka thënë Zeneli.

Po sipas tij, nga praktika e deritashme shihet se është shumë më lehtë të aplikohet për botimin e veprave të huaja në gjuhën shqipe sesa anasjelltas.

“Kjo me gjasë për shkak se ka më pak përkthyes në vendet tjera që përkthejnë letërsinë shqipe, ndërkaq neve na mungojnë vetëm gjuhët krejtësisht të vogla, sepse tani më është krijuar një gamë e gjerë përkthyesish”, ka thënë Zeneli.

Evropa Kreative (Creative Europe) është programi kornizë i Komisionit Evropian për mbështetjen e sektorit të kulturës dhe fushës audiovizive.