Ujërat e Zeza

Lagjja e Pozheranit pa rrjet të kanalizimit

Banorët e mbi 20 shtëpive të fshatit Pozheran të Vitisë që jetojnë përballë shkollës fillore “Halil Alidema”, nga fillimi i rrugës ku gjendet sheshi “Mejdi Korrani” në gjatësi prej 400 metrash, nuk janë të kyçur në rrjetin e kanalizimit.

Ramadan Berisha, banor i kësaj lagje në fshatin Pozheran ka treguar se qeveritë komunale janë ndërruar njëra pas tjetrës dhe asnjëra nuk ua ka rregulluar problemin e kanalizimit.

“Kemi problem me kanalizimin, ka qenë kryetari nga Sllatina, ai edhe dy javë i kishte mandat e ka thënë që besën e ke që si të zgjidhem unë prapë kryetar, kam me ardh me rregullu kanalizimin, ai u largu, erdh një i Beguncës, kemi qenë te ai katër vetë, e ai na tha që besën e ke se në muajin e tretë kam me qitë bagerin edhe kam me ua rregullu pasi qenkeni para shkollës, tash u bo i dyti mandat kurgjo nuk ka prej tij, u bo 10 vjet gati”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se po të kishte para të mjaftueshme do ta rregullonte vetë këtë çështje, por me pensionin që e merr mezi arrinë t’ia dalë me ushqim e ilaçe. Ai ka treguar se pusetën e kanalizimit para shtëpisë së tij e pastron një herë në dy muaj, me anë të një cisterne me ujë të cilën e paguan 50 euro.

“E marr cisternën privat, ia jap 50 euro, e pastron dhe e qet në ara, 50 euro për një herë”, ka rrëfyer Berisha.

Halim Maksuti, një banor tjetër i kësaj lagje ka deklaruar se mbeturinat dhe uji i kanalizimit kthehen tek shtëpia e tij dhe kalojnë rreth themelit të saj.

“Si po shihet kanalizimi është total i mbyllur, shihet se si vjen uji i rrugës kryesore rreth themelit të shtëpisë. Kanalizimi duhet të punohet tej e përtej fshatit që të pastrohet dhe shtëpia të mos ketë rrezik. Muri po shihet që ka fillu me ra në tokë, po shihet themeli deri në fund”, ka theksuar Maksuti.

Drejtori i Financave në komunën e Vitisë, Ibrahim Rama ka thënë se kjo pjesë e rrugës, në lagjen afër shkollës fillore në Pozheran në gjatësi diku 400 metra, ka pasur disa probleme në rrjetin e kanalizimit.

Rama ka thënë që kyçja e kësaj lagje në rrjetin e kanalizimit në vitin 2018 nuk është i planifikuar, por që në vitin 2019 qytetarët nuk do ta kenë më këtë problem.

“Kështu që në Pozheran, këtë lagje e kemi planifikuar për vitin 2019, e kemi ndërmend në projeksione të rregullimit kurse sipas njohurive tona që kemi rreth këtij projekti në Pozheran, pra të kanalizimit, besoj që qytetarët nuk do të kenë problem në vitin 2019”, ka thënë Rama.

Drejtori i Financave ka deklaruar që ata kanë qenë në dijeni për problemin që ka kjo lagje nga debatet publike që i kanë mbajtur në Pozheran për katër vite me radhë.

“Gjatë diskutimeve publike qe katër vite që i kemi mbajtur me qytetarët në fshatin Pozheran për nevojat që i kanë, për prioritete për projekte investive, ne edhe këtë problematikë e kemi pasur si informacion që duhet me rregullu. Nuk ka pasur nevojë me pasë kërkesë as me shkrim se ne e kemi ditur që kësaj pjese të fshatit i mungon rrjeti i kanalizimit”, ka theksuar Rama.