Lagjja e Nishorit që vuan nga kundërmimi i ujërave të zeza që nga paslufta

Lagjja Smakaj në fshatin Nishor të Suharekës që nga paslufta po përballet me kundërmimin e ujërave të zeza si rezultat i mungesës së kanalizimit.

Banorët e lagjes thonë se mbetën pa u kyqur në rrjetin e kanalizimit të fshatit pasi ai u ndërtua mbi shtëpitë e tyre.

“Problemin me kanalizim e kemi prej pasluftës. Para shtatë viteve është instaluar kanalizimi në fshat, mirëpo këtë pjesën tonë për shkak të rrjetit kryesor që ka dalë mbi shtëpia, nuk e kemi mundësinë e kyqjes. Kanalizimi është me gropa septike. Këtu përveç aromës kundërmuese që është, jemi duke i shkaktuar dëme edhe fqinjëve”, thotë Urim Bytyçi, banor.

Urim Bytyçi tregon se janë ankuar disa herë në Komunën e Suharekës, por asgjë nuk është ndërmarrë.

“Në Komunë për nja pesë herë kemi dërguar ankesë me emra, me mbiemra, me nënshkrime. Kryetari i ri tash që është ka premtuar që muaji prill është muaji më i largët që kanë me fillu punimet për kanalizim, mirëpo shkuan prilli, maji e qershori e korriku e konkrete s’kemi kurrgjë”. tha Bytyçi.

Bytyçi thotë se gropa septike e hapur nga Komuna më 2011 paraqet rrezik për jetën e fëmijëve.

“Ju edhe vetë ishit prezentë te ajo pjesë e kanalizimit ku është e hapur gropa septike katër me katër metra. Është e pambrojtur, e parrethekuar. Nuk ka kurrëfarë mburoje, ajo është rrezik se munden me u mbytë fëmija, jo përveç aromës”, shtoi ai.

Ndërsa, Xhavid Bytyçi thotë se për shkak se ujërat e zeza janë mbi sipërfaqe ekziston rreziku i shfaqjes së ndonjë epidemie.

“Kjo lagje qe shtatë vite janë kryer kanalizimet e lagjeve tjera dhe këtu nuk është bo asgjë, edhe këtu janë kanalizimet mbi tokë, është ndotje e ajrit, po fillojnë epidemi, sëmundje dmth. këtu nuk është bo kurgja. E kemi lajmëruar Komunën nuk e di sa here po nuk kanë ba kurrgja. Kërkesa jonë është që kanalizimet të jenë të kryera, nën tokë, që të mos ndotet ajri”, tha Bytyçi.

Kurse, drejtori për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjencë, Enver Shabani, tha se Komuna është e njoftuar me këtë problem të kësaj lagjeje të Nishorit.

Ai tha se banorët e kësaj lagjeje kanë probleme pronësore me banorët e fshatit Breshanc dhe se kjo është arsyeja pse nuk po rregullohet kanalizimi.

“Ne në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje që t’i bindim banorët e fshatit Breshanc të na lejojnë kyqjen në këtë rast, përndryshe ne si Komunë kemi fond të mjaftueshëm mirëpo kemi probleme pronësore. Po i zgjodhën banorët këto probleme në jemi të gatshëm që brenda 24 orëve t’i zgjidhim këto probleme”, tha Shabani për KALLXO.com.