Gjykimi për keqpërdorim të detyrës, ndaj Ali Shabanit - 10.-7.2019 - Gjakovë - KALLXO

Laboranti i Spitalit të Gjakovës mohon akuzat se rekomandoi pacientët në laboratorin e tij privat

Ali Shabani, laborant në Spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, ka dalë sot para Gjykatës për t`u përballur me akuzat e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. I njëjti është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.

“Unë deklarohem i pafajshëm”, tha para gjykatës i akuzuari Ali Shabani.

Prokuroria akuzon atw, se si laborant ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i shërbyer pacientët që kanë kërkuar shërbime në laborator, e duke ju thënë që analizat të shkojnë t`i bëjnë në laboratorin e tij privat.

Ndërsa avokati i tij Ndrec Dodaj, tha se kundërshtimet e aktakuzës do t`i bëjë gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Sa i përket mënyrës së sigurimit të provave të aktakuzës, është e kundërligjshme se si janë bërë”, tha avokati Dodaj.

Ndërkaq gjyqtari i çështjes Shaqir Zika, caktoi datën 19 gusht për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës, në prill të këtij viti i akuzuari Ali Shabani në cilësinë e laborantit në spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, nuk i kishte shërbyer pacientëve që kanë kërkuar shërbime në laborator sipas udhëzimeve të mjekëve.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit pacientë i ka dërguar që analizat e tyre t`i bëjnë në laboratorin e tij privat “Xiri Lab”, në Gjakovë.

Aktakuza shpjegon se këto veprime të të akuzuarit Shabani, kanë qenë në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi dhe Udhëzimin Administrativ për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Institucionet Shëndetësore.