Mbledhja e KQZ-së - Foto: KALLXO.com

Ky është afati për aplikim për zgjedhjet në katër komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar të gjitha subjektet politike (Partitë politike, kandidatët e pavarur, koalicionet dhe iniciativat qytetare) të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, se afati i aplikimit për certifikim ka filluar më 9 prill dhe përfundon më 18 prill 2019.

“Kërkesat për certifikim duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri 18:00, ndërsa në ditën e fundit të afatit aplikimet mund të dorëzohen deri në orën 24:00”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

Për më shumë informacione, KQZ kërkon të vizitohet ky link.

Presidenti i Kosovës ka shpallur 19 majin 2019, për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Katër kryetarët e komunave kishin dhënë dorëheqje në nëntorin e vitit të kaluar në shenjë pakënaqësie me tarifën doganore 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se kryetarët e dorëhequr të 4 komunave veriore, ndonëse i kishin paraqitur dorëheqjet në nëntor të vitit të kaluar, ata pagat i kanë marrë deri në fund të muajit mars të këtij viti.

Qeveria Haradinaj vazhdon ti paguaj kryetarët e dorëhequr