Kuvendi i Kosovës, 11.04.2019

Kuvendi pa kuorum, s’kalojnë propozimet për pensionistët

Në mungesë kuorumi, debati parlamentar i thirrur nga deputetja Teuta Haxhiu, në lidhje me të drejtat e pensionistëve kontributëdhënës është shtyrë për seancën e ardhshme.

Deputetja Haxhiu ka kërkuar që përmes rezolutës, të ndryshohet udhëzimi administrativ që sipas saj, ‘diskriminon skajshmërisht pensionistët’.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se ministria që ai përfaqëson tashmë kanë hartuar një koncept dokument rreth kësaj çështje përmes të cilit adresohen problemet e sistemit.

“Jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi burim për fonde sociale. Që nga java e ardhshme do të shikojmë mundësinë që këto që i diskutuam këtu me ju qoftë nga njohja e stazhit që ta sjellim në parlament dhe ta ndryshojmë ligjin nëse me ligjin në fuqi kemi shkelje.”, ka deklaruar ministri Reçica.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi tregoi se vendimet e rasteve të fituara në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut, thonë se mund të përdoren si precedentë për të gjitha rastet e pensionistëve.

“Duhet me ndërpre çdo bisedim me Beogradin derisa të kthehet prona e vjedhur. I bëj thirrje çdo qytetari të cilit nuk iu është njohur e drejta le të shkon me Gjykatën e Republikës së Kosovës edhe e fiton rastin. Një udhëzim administrativ nuk mund të jetë mbi ligjin. Janë mbi 82 mijë kontributëdhënës të cilëve iu ka borxh fondi pensional i Serbisë.”, ka thënë Kurteshi.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se kërkon që përmes rezolutës të largohet paragrafi që diskriminon pensionistët.

“Në rekomandimet që i kam dhënë në fillim kërkoj që të ndryshohet paragrafi 2.3 i nenit 6 i udhëzimit administrativ 9/2015 nga 15 vite të hiqet komplet, ketë mund ta bëj ministri. Unë kam qenë e vetëdijshme kur e kam kërkuar. Kërkoj që përmes rezolutës ministri të ndryshoj udhëzimin administrativ që diskriminojnë skajshmërisht pensionistët.”, deklaroi deputetja Haxhiu.