Kuvendi sot.

Kuvendi nis seancën me debate të 'nxehta' mes Grupeve Parlamentare

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka filluar seancën me pikën e rendit të ditës- Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-087 për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë.

Por, para se të fillonte diskutimi në këtë pikë, Armend Zemaj, deputeti i LDK-së, ka reaguar duke kërkuar që së pari të miratohet rendi i ditës dhe që pozita t`i siguroj 61 deputet. Ai tha se GP i LDK-së do t`i pres 30 minuta deri sa t’i bëjnë numrat.

“Së pari nuk është marituar reni i ditës, jemi mbet tek rendi i ditës, kemi mbet tek votimi i rendit të ditës, nëse nuk janë 61 deputet, bëni korumin dhe vazhdojmë”, tha Zemaj.

Memli Krasniqi, në emër të PDK-s, tha se LDK nga 27 deputet vetëm 7 deputet i kanë në sallë të cilët sipas tij e kanë nënshkruar listën e prezencës për ta marr mëditjen.

“Le ta dinë qytetarët e Kosovës se kjo është më shumë se tallje me Kuvendin. Prej 27 kanë ardhur 7 në sallë. Është turp që kanë ardhur për ta nënshkruar listën për me marr mëditje e rrinë dy minuta e gjysma e grupit parlamentar me siguri ju kanë shkuar në bregdet edhe vijnë këtu me than që varet prej neve kuorumi. Ky është inskenim. Është e turpshme me sjell në këtë situatë Kuvendin përfaqësuesit e zgjedhur nga qytetarët e vendit”, tha Krasniqi.

Ahmet Isufi në emër të AAK-s tha se kjo është bërë qëllimisht për ta bllokuar Kuvendin.

“Kjo është e turpshme sepse është e premte dhe si duket kanë nevojë me shku në vikend ma herët, po kjo nuk i bënë nder pavarësisht pozitës politike sepse te gjithë jemi të barabartë këtu”, tha Isufi.

E Glauk Konjufca, nga LVV tha se edhe bojkoti i Kuvendit është strategji politike shumë legjitime.

“Nga ky aspekt kisha propozu mos me hy në kësi diskutime në kuptimin që në të vërtetë ky nuk është faji kryesor i opozitës. Shembullin jo të mirë po e jep edhe kryetari i Kuvendit. Se ai shpesh po na mban ligjërata si të jemi këtu të pranishëm”, tha Konjufca, duke thënë se sipas disa analizave të bëra kryetari Kadri Veseli është vetëm 44 për qind i pranishëm në seanca.

Edhe Enver Hoti i Nismës Socialdemokrate tha se është një opozitë e çakorduar që nuk ka ndonjë përqendrim për të ndihmuar për zhvillimin e Kuvendit.

Pavarësisht debatit, Kuvendi po i vazhdon punimet.