Hapësira ku ulen deputetët e PDK-së

Kuvendi në krizë kuorumi, shqyrton raporte e i lë pa votuar

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po shqyrtojnë disa raporte vjetore të disa institucioneve publike, por pas diskutimit nuk po votojnë ngase nuk ka kuorum në seancën plenare.

“Konsideroj që edhe kjo është ezauruar dhe po besoj që në seancë ne ardhshme do të bëhet votimi”, tha kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti.

LDK e VV nuk janë prezent në sallë, ngase kanë paralajmëruar bojkotimin e kuvendit deri në miratimin e rezolutës së tyre për ndalimin e diskutimit të territorit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Ligjvënësit kanë bërë shqyrtimin e disa raporteve për vitin 2017. Është shqyrtuar raporti vjetor i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit; raporti vjetor i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare; raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës; raportin vjetor Shqyrtimi i Raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës; raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave; raporti vjetor i Bankës Qendrore dhe raporti vjetor i Autoritetit të Aviacionit Civil.