Seanca e sotme e KUvendit | Foto: KALLXO.com

Kuvendi Miraton Raportin për Bankën Qendrore

Kuvendi i Kosovës në seancën e vazhduar sot miratoi Raportin Vjetor të Bankës Qendrore për Vitin 2016.

Miratimi i raportit u bë me 67 vota për, 10 kundër dhe 12 abstenime.

Para se të miratohej raporti, Lumir Abdixhiku në emër të Komisionit funksional e vlerësoi atë gjithëpërfshirës.

Edhe Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje u pajtua që raporti “paraqet në mënyrë të saktë sektorin që e rregullon, pra industritë që në këtë republikë tash e 15 vite janë në kontroll të mirë”.

Safete Hadërgjonaj në emër të grupit parlamentar të PDK-së konstatoi se Banka Qendrore ka përmbushur agjendën ligjore.

“BQK ka një performancë të mirë, ka kryer funksionin e saj mbikëqyrës ka kontribuar për stabilitetin ekonomik”, tha Hadërgjonaj.

Faton Topalli duke folur për raportin e BQK-së përmendi policat e sigurimit me të cilat tha se po plaçkiten mërgimtarët.

“Unë dua të ndalem tek policat kufitare, dua të theksoj këtë çështje, pasi edhe pse kaluan 18 vite mërgimtaret shqiptar vazhdojnë të plaçkiten nga kompanitë e sigurimeve të cilat kanë krijuar monopol. I vetmi shpenzim i tyre është shtypja e policave, pra letrave”, tha Topalli.

Ndërsa Shqipe Pantina akuzoi ish-guvernatorin e BQK-së Bedri Hamza që nuk njoftoi sipas ligjit dorëheqjen e tij nga kjo pozitë, kur mori postin e ministrit.

Sipas Pantinës, Hamza do të duhej ta paralajmëronte tre muaj më parë dorëheqjen nga pozita e guvernatorit, e jo një ditë para se ta merrte postin e ministrit.

Por Hamza tha se ka vepruar sipas ligjit

“Zonja Pantina po flet me shumë kompetencë si juriste, se e di që s’je. Lexoj edhe do nene ma poshtë. Unë kam vepru në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Hamza.

“Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët mund të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim Presidentin ose Bordin e Bankës Qendrore, përkatësisht, të paktën tre (3) muaj përpara”, thuhet në nenin 43 të Ligjit për Bankën Qendrore.

Por Hamza tha se në këtë nen nuk thuhet “duhet” të japë dorëheqje të paktën 3 muaj përpara, por “mund” të japë dorëheqje.