Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Kuvendi kompleton Komisionin për Ndihmë Shtetërore sipas rekomandimeve të britanikëve

Kuvendi i Kosovës sot ka emëruar anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore. Ky Komision bëhet funksional për herë të parë, përkundër që ka qenë kërkesë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore janë: Fortuna Shaqiri-Haxhikadrija, Alban Elshani, Mehmet Krasniqi, Bashkim Mustafa dhe Asdren Osaj.

Këtë përbërje të bordit e kanë votuar 48 deputetë, ndërsa 6 të tjerë kanë votuar kundër dhe 7 kanë abstenuar.

Kjo përbërje e Komisionit  është në përputhje me rekomandimet që ka dhënë kompania angleze, BDO. Kjo kompani që është angazhuar nga Ambasada britanike për t’i ofruar asistencë në rekrutim institucioneve të Kosovës i ka poentuar me më së shumti pikë kandidatët që janë emëruar nga Kuvendi i Kosovës.

Fortuna Shaqiri Haxhikadrija ishte më e poentuara me 27.5 pikë, e pasuar nga Alban Elshani me 23.5. Mehmet Krasniqi kishte marrë 22.5 pikë, Bashkim Mustafa 22.0 pikë dhe Asdren Osaj kishte 20.0. E emërueshme për BDO-në ishte edhe Shqipe Arifaj që kishte marrë 19.5 pikë, por ajo nuk do të jetë në Komisionin për Ndihmë Shtetërore.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar nuk kishin marrë parasysh rekomandimin e kompanisë britanike për kreun e Agjencisë për Krahasime dhe Verifikim të Pronës, që u zgjodh Naser Shala, ish-luftëtar i Limajt.

Në lidhje me emërimin e tij pati shumë reagime nga ndërkombëtarët.

Vetë Ambasada britanike e ka quajtur shkelje të marrëveshjes mes Kuvendit dhe Ambasadës.

https://kallxo.com/britaniket-te-pakenaqur-me-zgjedhjen-e-bashkeluftetarit-te-limajt-ne-agjencine-e-prones-ambasadori-jep-doreheqje-nga-bordi/

Reagime për ardhjen e “Ftyrës” në krye të AKKP pati edhe nga ambasadori amerikan, Philip S.Kosnett dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

https://kallxo.com/ambasadori-amerikan-i-zhgenjyer-me-zgjedhjen-e-naser-shales-ne-krye-te-agjencise-se-prones/