Kuvendi i 'paralizuar', LDK në përgatitje të mocionit për rrëzimin e qeverisë

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-s, Avdullah Hoti tha se seancën e jashtëzakonshme e kanë ftuar pasi Kuvendi i Kosovës pothuajse është paralizuar.

Ai lajmëroi gjithashtu se janë duke punuar për mocionin për rrëzimin e qeverisë.

“Këtë seancë e kemi ftuar pasi Kuvendi i Kosovës pothuajse është paralizuar. Nuk ka mbetë rrugë tjetër pos zgjedhjeve të reja”, tha Hoti.

Sipas tij, ka kaluar koha kur arroganca e koalicionit PAN mund të prodhojnë ndonjë ndryshim në këtë vend.

“Ndryshimin e bëjnë vetëm qytetarët. Jemi në një ngërç shkaku i koalicionit PAN”, tha Hoti.

Sipas tij partitë opozitare përfaqësojnë 60 për qind të qytetarëve të vendit.

“Ne jemi partia dhe GP ma i madh në kuvend. Në bazë të koordinimit me opozitën i kemi pamundësuar veprimet e dëmshme për Kosovën”, u shpreh Hoti duke treguar se janë duke punuar në mocionin për qeverinë.

Sa i përket protestës së LVV, Hoti tha se po punojnë brenda institucioneve dhe kur ata e vlerësojnë se ka ardhur koha për protesta atëherë do ta marrin vetë përsipër.