Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për heqjen e monopolit në homologim

Kuvendi i Kosovës ka arritur të miratojë rezolutën e harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave.

Pas dy herësh tentime, me 64 deputetë në sallë si dhe me 62 vota për, dy abstenime asnjë kundër.

Ish ministri i Infrastrukturës, si dhe deputeti i LDK-së, Lufti Zharku, propozoi 4 pikatë e Rezolutës në fjalë.

“Menjëherë të shfuqizohet udhëzimi administrativ për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të automjeteve rrugore i MI-së, menjëherë të filloj plotësimi apo ndryshimi i Ligjit për Automjete në përputhje me dispozitat e BE-së dhe MSA-së, në afat prej dy muajve miratohet udhëzimi i ri administrativ i cili duhet të jetë në përputhje me Ligjin për Automjete, Ligjin për Mbrojtje të Konkurrencës si dhe në afat prej 6 muajve nga data e miratimit e kësaj rezolute të liberalizohet tregu për homologimin e automjeteve”,  theksoi ai.

Të premten Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme në të cilën është kërkuar  që të shfuqizohet, Udhëzimi Administrativ i ministrit Pal Lekaj që rrezikon t’ia vazhdojë kontratën për homologimin e automjeteve kompanisë “EuroLab”. Mirëpo në mungesë të kuorumit ky propozim nuk u hedh fare në votim dhe seanca përfundoi pa ndonjë rezultat.

Diskutimi për çështjen e monopolit në homologim po vjen rreth një vit pasi Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’, kishte realizuar hulumtim për këtë temë.

Ministria e Infrastrukturës është kujdesur që të trashë edhe më shumë monopolin e homologimit. Për 10 vjet, e njëjta ministria ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë EuroLab, duke ia caktuar edhe shumë që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kjo praktik mund të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi Ministria e Infrastrukturës e ka hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirëson hapjen e tregut për këtë Homologim. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, EuroLab për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” është bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.