Kuvendi Komunal i Gjilanit - Foto: Facebook

Kuvendi i Gjilanit javën e ardhshme trajton raportin për punën e kryetarit Haziri

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), ka vendosur që në seancën e Kuvendit Komunal, javën e ardhshme, të mos ketë pika tjera në rend dite, përveç raportit të kryetarit për vitin 2018.

Në emër të grupimit të tij politik, propozimi është bërë nga Riza Abdyli (PDK), ndërsa është përkrahur edhe nga Nevzad Isufi (LVV) e Avdyl Aliu (LDK), sikurse edhe anëtarët tjerë të Komitetit për Politikë e Financa, Mimoza Kadriu (Nisma), Shemsedin Ramushi (AKR) e Ibish Ibishi (G/2), me qëllim që këshilltarët komunalë të kenë sa më shumë hapësirë për diskutim të raportit të kryetarit të Komunës.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se heqja nga rendi i ditës i pikave të tjera, të cilat ishin paraparë për seancën e ardhshme të Kuvendit, ishte kërkesë unanime e anëtarëve të KPF-së.                    

“Kësisoj, propozim-vendimi për emërimin e komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, propozim-vendimi për emërimin e komisionit të përhershëm për përcaktimin e lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, si dhe propozimi për caktimin e lokacionit për vendosjen e shtatores së Mulla Idriz Gjilanit, mbeten të shqyrtohen në njërën nga seancat e ardhshme të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Në raportin e tij, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ndër të tjera nënvizon faktin se viti 2018 është përcjellë me projekte të shumta në të gjitha fushat, krahas shërbimeve të tjera të përhershme që Komuna ka dhënë për qytetarët e saj.

Në njoftim thuhet se janë bërë investime në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, kanalizime, trotuare, në tërë territorit të komunës së Gjilanit, në qytet dhe fshatra.

“Tashmë ka përfunduar pjesa më e madhe e rrugës hyrëse-dalëse Gjilan-Ferizaj, ndërkohë që pritet të vazhdojë projekti për zgjerimin e kësaj rruge, deri në Kllokot, sikurse sivjet do të fillojë edhe rruga me katër krosi deri në Bresalc”, thuhet në njoftim. 

Njoftimi vazhdon më tutje se Mirusha, një problem i kahershëm i Gjilanit, është trajtuar në të gjitha drejtimet.

“Përfshirë edhe lagjen Dardania, derisa në pjesën jugore është filluar me rregullimin e shëtitores dhe do vazhdohet me punime deri në finalizim të projektit, nga qarkorja, deri te Livadhet e Akllapit”, përfundon njoftimi.