Kuvendi diskuton projektligje, por pa kuorum për votim

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Transportin Rrugor nuk doli në votim të enjten në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit. Së bashku me këtë projektligj, Ministria e Infrastrukturës ka sjellë në Kuvend, pakon prej gjashtë ligje që kanë të bëjnë me harmonizimin me legjislacionin e BE-së.

Me fillim të seancës, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, kritikoi mungesën e deputetëve në seancë parlamentare ku pritet të shqyrtohen dhe votohen disa pika të rendit të ditës.

“Ata që kanë fjetë më shumë besoj që vijnë në proces të zhvillimit të seancës”, tha Haliti.

Pas kësaj, Haliti ftoi ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj i cili kërkoi miratimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Transportin Rrugor.

“Ky ligj vetëm e bënë harmonizimin e ligjit për kundërvajtje me kriteret e Bashkimit Evropian. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Transportin Rrugor, duhet të ndryshohen dhe harmonizohen neni  74 dhe 76 në mënyrë që të përshtatet me ligjin për kundërvajtje”, tha Lekaj.

Ministri Lekaj pranoi që ministria e tij nuk ka bërë shumë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, kur u përgjigj në pyetjen e deputetit të VV-së, Sami Kurteshi se çfarë ka bërë për të rritur sigurinë e qytetarëve sidomos tek hekurudhat që janë në Kosovë.

“Sa i përket sigurisë mendoj që kemi ngecur mjaft dhe pajtohem që nuk kemi krijuar standarde që do të ndikojë pozitivisht në sigurinë e qytetarëve duke filluar nga ndërtimi i rrugëve, shënjëzimi, nga masat edhe nga gjobat. Ne jemi të interesuar që në këtë të ndikojmë dhe me ligje të përcaktohen, prioritet të jetë jeta e qytetarëve dhe siguria se me të vërtet rrugët janë bërë vdekjeprurëse”, deklaroi Lekaj.

Edhe deputeti i NISMA Socialdemokrate, Milaim Zeka, kërkoi nga ministri Lekaj siguri në rrugë për qytetarët e Kosovës.

“I vetmi sugjerim që të angazhoheni personalisht si ministër është të rregulloni sinjalistikën dhe të ofroni siguri. Unë mendoj që sigurimi i njerëzve në proporcion me numrin e popullsisë, vdekshmërinë në aksidentet rrugore në Kosovë e kemi shumë të lartë, sidomos tash në sezonin që vijnë mërgimtarët.  Ne i japim mbështetje këtij ligji”, tha Zeka.

E deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu në emër të komisionit për Tregti dhe Industri kërkoi që ky ligj të votohet në lexim të parë.

“Në emër të Komisionit për Tregti dhe Industri, kemi kaluar nëpër projektligjin në fjalë dhe si komision e kemi aprovuar dhe jemi dakord të ecim tutje, deklaroi Sejdiu.

Por deputeti Lutfi Zharku në emër të grupit parlamentar të LDK-së tha ky projektligj është i mangët

“Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Transportin Rrugor është i mangët dhe nuk jep kahje zgjidhjes së disa çështjeve shumë me rëndësi në këtë sektor.  Disa nga çështjet që është dashur të adresohen në ndryshim plotësimin e këtij ligji janë procesi i  licencimit të operatorëve në transportin rrugorë si dhe ushtrimi i së drejtës brenda dhe jashtë vendit. Luftim i ekonomisë joformale do të duhet të ishte një nga fushat e rregullimit ligjor. Aktualisht ekzistojnë transportues ilegale që veprojnë mes qyteteve të ndryshme”, tha Zharku.