Fotografi nga ndotja e ajrit në Prishtinë

Kuvendi Diskutoi për Ajrin e Ndotur pa Votuar Rekomandimet

Në Kuvend u diskutua për ndotjen, por nuk pati kuorum për t’u votuar rekomandimet.

Deputetët e Kuvendit diskutuan sot në lidhje me ndotjen e ajrit dhe ndotjen e ambientit në përgjithësi, por nuk pati kuorum e as vullnet për t’u votuar rekomandimet në lidhje me këtë ndotje.

Seanca që vazhdoi sot me pikat e mbetura, do të vazhdojë edhe të martën.

Gjatë diskutimeve, deputeti i Kuvendit Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se po bëhen raporte për ndotjen e ajrit dhe në fund të vitit po konstatohet përsëri se gjendja e ajrit dhe mjedisit është përkeqësuar.

“Ne kemi një ligj për mbrojtjen e ambientit dhe të ajrit nga ndotja nga viti 2010, dhe ne në vitin 2018 po diskutojmë për një gjendje alarmante me premisë të rrezikut për shëndetin e njeriut”, tha Kurteshi.

Ai shtoi se “nëse Kuvendi nuk ndërmerr asnjë hap për kontrollimin e masave për zbatimin e këtyre ligjeve, atëherë ne vetëm do të votojmë për raporte dhe në vitin e ardhshëm do të diskutojmë për të njëjtën gjendje”.

Ndërsa Andin Hoti nga Partia Demokratike e Kosovës tha se raporti paraqet gjendjen reale të mjedisit në Kosovës.

“Asnjë dikaster nuk është në gjendje normale, por ne jemi mësuar që të na zënë papritur dhe atëherë na bie ndërmend. Kërkoj që ky raport të trokasë në ndërgjegjen e atyre që janë përgjegjës për një ambient kaq të ndotur”, tha Hoti.

Ndërsa deputeti nga Aleanca Kosova e Re Islam Pacolli tha se kjo parti e mbështet raportin e bërë para dy vjetëve, por sipas tij zgjidhje për ajrin e ndotur është një projekt nacional.

“Gjendja e mjedisit dhe e ajrit mund të rregullohet me një projekt nacional duke pasur parasysh që gjendja e mjedisit është për keqardhje, por kjo gjendje mund të rregullohet duke filluar me një projekt nacional dhe respektim të ligjit.

Me raportin i cili trajton gjendjen e mjedisit nuk u pajtua deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Driton Çaushi. Sipas Çaushit ky raport nuk ka të dhëna të sakta, ka raportime jo profesionale  dhe nuk mund të jetë serioz.

“Në këtë raport nuk u trajtuar gjendja e tokës pasi që sipas raportit nuk ka monitorim për gjendjen e tokës. Në këtë raport nuk ka as të dhëna kuantitative se sa dëme u janë shkaktuar pyjeve”, tha Çaushi.

Çaushi ka sugjeruar që ky raport të mos kalojë deri sa Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të ofrojë një raport cilësorë të bazuar në matje të sakta.