Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com

Kushtetuesja: Vendimi për rritjen e pagave nuk bie ndesh me Kushtetutën

Gati pesë muaj pasi që Gjykata Kushtetuese e kishte pranuar një kërkesë nga 30 të Kuvendit të Kosovës në lidhje me vendimin e Qeverisë Haradinaj për ngritjen e pagave dhe disa ditë para se kjo Gjykatë të mbetet pa dy gjyqtarë dhe rrjedhimisht pa kuorum, Kushtetuesja ka vendosur në lidhje me vendimin që pothuajse i dyfishoi pagën kryeministrit të vendit.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese tashmë kanë vendosur që vendimi për ngritjen e pagave ka qenë i ligjshëm dhe nuk e ka cenuar Kushtetutën e vendit.

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar u raportua se kryeministri Haradinaj do të ketë një pagë që arrin dyfishin e asaj aktuale. Krejt kjo pasi që në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u votua një vendim sipas të cilit rroga e Haradinajt do të ishte hiç më pak se 2 mijë e 950 euro. Paga aktuale e kryeministrit është 1 mijë e 443 euro.

Ky është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar sot.

Përveç pagës së kryeministrit, vendimi i Qeverisë preku edhe pagat e ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve politikë, shefave të kabineteve e zyrtarëve tjerë brenda Qeverisë së Kosovës që përfituan rritje të ndjeshme në pagat e tyre.

Vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave pati jehonë të madhe në publik dhe u kundërshtua e u ironizua fuqishëm në opinionin publik ndërsa rreth një muaj më pas, Agjencia Kundër Korrupsion e Kosovës nxori një opinion ku gjeti se ka pasur konflikt të interesit me rastin e ngritjes së pagave.

“Vendimi i Qeverisë i datës 20.12.2017 nuk mund të cilësohet si konflikt interesi për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi. Konflikti i interesit është paraqitur tek zyrtarët e lartë të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që Vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”, konstatoi AKK në opinionin e saj.

Më tej AKK kishte rekomanduar anulimin e vendimit për rritjen e pagave.

“Prandaj, përmes këtij Opinioni, AKK rekomandon që Vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi”, rekomandoi AKK.

Edhe pse AKK përmes opinionit ishte shumë e qartë se ka pasur konflikt të interesit, Qeveria e Kosovës nuk e përfilli këtë opinion fillimisht por pas disa ditësh, kryeministri Haradinaj njoftoi për pezullimin e këtij vendimi edhe pse e quajti të ndikuar politikisht.

“Pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi”, shkroi  Haradinaj.

Vendimi i Kryeministrit Haradinaj prodhonte efekt zinxhiror të rritjes së pagave në sistemin e drejtësisë, sepse në bazë të ligjit pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të lidhura me pagat e të emëruarve politikë.

Vendimi është marrë nga Arta Rama-Hajrizi, kryetare Ivan Cukalovic, zevendeskryetar Altay Suroy, gjyqtar Almiro Rodrigues, gjyqtar Snezhana Botusharova, gjyqtare Bekim Sejdiu, gjyqtar Selvete Gerxhaliu-Krasniqi, gjyqtare dhe Gresa Caka-Nimani, gjyqtare.