Kushtetuesja ia refuzoi ankesën e avokatit ndaj urdhërit të Kryetarit të Gjykatës së Prizrenit

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë ankesën e avokatit Gent Gjini, ndaj urdhërit të Kryetarit të Gjykatës së Prizrenit, i cili kishte urdhëruar që të mos lejohej hyrja e avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës, pa ftesa ose leje gojore.

Avokati Gjini kishte ushtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së një urdhri të nxjerrë nga Kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, përmes së cilit “Urdhërohet [shin] punëtorët e sigurimit dhe recepsionistja, që të mos lejojnë hyrjen e avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës, pa ftesa ose leje gojore të kryetarit të gjykatës, apo gjyqtarit, me përjashtim në zyrën e dorëzimit të shkresave”.

Por Gjykata Kushtetuese pas vlerësimit të kësaj çështje e ka shpallur kërkesën e avokatit Gjini si të papranueshme, duke qenë se sipas kësaj Gjykate ajo kërkesë është parashtruar para se avokati të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike në procedurë administrative.

“Për të arritur në këtë konkluzion, Gjykata theksoi të gjitha dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore që qartazi tregonin se parashtruesi kishte pasur mundësi që të kontestojë Urdhrin në fjalë në procedurë administrative. Gjykata iu referua parimeve themelore për shterim të mjeteve juridike të ndërtuara ndër vite nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe praktikës së vet gjyqësore”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se Gjykata nuk është pajtuar me pohimin e parashtruesit/avokatit se nuk ka mjete juridike në dispozicion prandaj si rrjedhojë e kësaj e ka shpallur kërkesën të papranueshme për arsye të mos shterimit të të gjitha mjeteve juridike.

Me anë të këtij vendimi Gjykata gjithashtu ka refuzuar edhe kërkesën e avokatit për masë të përkohshme dhe për seancë dëgjimore – duke i konsideruar kërkesat si të pabazuara dhe të panevojshme.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit Ymer Hoxha, me datë 08 gusht 2018, kishte lëshuar Urdhër, ku nuk u lejohej hyrja avokatëve në objektin e Gjykatës pa ftesa, por edhe palëve dhe personave tjerë u ndalohej hyrja nëpër Gjykatë dhe Zyre të gjyqtarëve, pa ftesa apo pa aprovimin dhe lejen e kryetarit të Gjykatës apo pa leje të gjyqtarit.

Më pas Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vlerësuar se vendimi i kryetarit Ymer Hoxha, në lidhje me kufizimin e qasjes së avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës pa ftesa apo pa leje, është në përshtatshmëri me Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Gjykatave dhe nën kompetencën e kryetarit të Gjykatës.

Andaj në dhjetor të 2018-ës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëpërmjet një e-maili dërguar të gjithë kryetarëve të Gjykatave Themelore të Kosovës, si dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme u ka dhënë urdhër Gjykatave që të aplikojnë urdhrin e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Këtë urdhëresë të KGjK-së, e kishte kundërshtuar Oda e avokatët të Kosovës duke e konsideruar si shkelje të parimit të qasjes në drejtësi.

Ashtu që nga 9 janari 2019, të gjithë avokatët në nivel vendi kishin hyrë në bojkot të përgjithshëm, duke kërkuar nga KGjK-ja që të tërheqë rekomandimin dhe urdhëresën për qasjen e avokatëve dhe palëve të tjera në gjykata.

Si pasojë e bojkotit të avokateve me dhjetëra seanca gjyqësore ishin shtyrë apo anuluar.

Disa ditë më pas KGjK-ja në një takim urgjent vendosi që ta miratojë një  vendim me të cilin e autorizon Komisionin për çështje normative, që të rishikojnë dhe të hartojë rregulla unike për rendin shtëpiak për Sistemin Gjyqësor të Kosovës.

Pas këtij vendimi të KGjK-së, Oda e Avokateve të Kosovës e kishte pezulluar bojkotin.