Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Kush Tjetër e Shkeli Heshtjen Zgjedhore

Monitoruesit e BIRN dhe Internews Kosova njoftoi sot për kandidatët për asambletë komunale dhe subjektet politike që shkelën dje e sot heshtjen zgjedhore.

Mirëpo, monitoruesit tanë regjistruan edhe dhjetëra raste të tjera të prishjes së heshtjes zgjedhore.

Kështu, në afërsi të qendrës së votimit në shkollën fillore “Migjeni” në Mitrovicë, sot është vendosur “bilbordi” i kandidatit të AKR-së për kryetar komune, Agim Bahtiri. Bilbordi është vendosur mbi dy korsitë e rrugës.

BIRN dhe Internews Kosova konsiderojnë se veprimi i tillë në ditën e zgjedhjeve bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ndërsa, në afërsi të qendrës së votimit në shkollën fillore profesionale “Nexhmedin Nixha” sot është vendosur posteri i kandidatit të subjektit politik NISMA, Demë Avdijaj.

Edhe në këtë rast BIRN dhe I/K konsiderojnë se kemi të bëjmë me shkelje të heshtjes zgjedhore.

Një rast tjetër të prishjes së heshtjes zgjedhore monitoruesit e BIRN dhe Internews Kosova kanë konstatuar në qendrën e votimit në shkollën fillore “Zekria Rexha”, në oborrin e së cilës është vendosur posteri i kandidatit për kryetar të komunës së Gjakovës të subjektit politik AKR, Edmond Dushi.

Në afërsi të së njëjtës qendër votimi sot është vendosur edhe posteri i kandidates për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, në ditën e zgjedhjeve ka bërë fushatë politike, duke shpërndarë foto dhe duke bërë thirrje për votim me mbishkrimin: “Ftoj të gjithë qytetarët të ndajnë pak minuta të kohës së tyre për të votuar programin më të mirë për qytetin e tyre. Çdo votë është e rëndësishme! Selim Pacolli – #34”.

Monitoruesit e BIRN dhe Internews Kosova kanë gjetur se edhe kandidatja për Kuvend Komunal të Pejës, Shemsije Seferi, nga PDK, ditën e zgjedhjeve ka bërë fushatë politike, duke shpërndarë foto me thirrjen për ta votuar PDK-në dhe atë si kandidate për Kuvend Komunal.

Edhe kandidatja për Kuvend Komunal të Pejës, Ilirjana Gafuri (AAK) ka shkelur heshtjen zgjedhore duke shpërndarë foto me thirrjen për ta votuar AAK-në dhe atë si kandidate për KK.

Një rast tjetër i evidentuar është kandidatja për Kuvend Komunal të Komunës së Skenderajt, Albina Gashi, nga Vetëvendosje, sot ka bërë fushatë politike, duke shpërndarë foto me thirrjen për ta votuar partinë e saj dhe atë si kandidate për Kuvend Komunal. .

Ndërsa në qendrën e votimit në shkollën fillore “Dëshmorët e Zhurit” në fshatin Zhur, gjatë gjithë ditës në një afërsi më afër se 100 metra me shkollën ka qenë i vendosur posteri i LDK-së, i varur mbi rrugë publike, me fotografitë e Hatim Baxhakut, kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga LDK dhe Behar Begajt, kandidat për Kuvend Komunal.