Ilustrim: Kallxo.com

Kush Përfiton nga Falja e Borxheve për Shfrytëzuesit e Ujit?

Në mbledhjen e vet të 3 tetorit, Qeveria e Kosovës vendosi që t’u falë borxhet të gjithë ambalazhuesve të ujit duke u thirrur në një nen të një udhëzimi administrativ për strukturën e pagesave të ujit.

Përfitues të këtij vendimi janë qindra shfrytëzues të ujit për çështje biznesore ndërsa shumë e borxheve të grumbulluara vlerësohet se arrin mbi 58 milionë euro.

Në fund të vitit 2014, emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte realizuar një hulumtim me të cilin nxori në dritë borxhet që ambalazhuesit e ujit i kishin ndaj shtetit dhe mosveprimin e institucioneve relevante për ta mbledhur këtë borxh.

Ndërsa në mars të vitit 2015, Ministria e Mjedisit kushte thënë se nuk ka të dhëna të kompletuara për taksën ujore.

Ligji për Ujërat i miratuar nga Kuvendi i Kosovës thotë se ujërat janë resurs kombëtar dhe çdokush që e përdor atë për përfitime biznesi duhet t’i paguajë taksë shtetit.

Sipas ligjit, taksën e ujit duhet ta paguajnë hidrocentralet, hurdhat e peshkut, ambalazhuesit e ujit dhe pijeve freskuese, shfrytëzuesit  ujit termomineral, shfrytëzuesit e ujit për industri tullore, ata për industri qumështore, industri rehabilituese mjekësore, ujitje, furnizim publik e shumë sektorë të tjerë të biznesit.

Vendimi i qeverisë Haradinaj për faljen e borxheve për shfrytëzuesit e ujit për qëllime biznesore.

Në Nenin 12 të Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesave të Ujit thuhet se “të gjithë detyruesit te cilët deri në hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi nuk i kanë kryer detyrimet, obligohen që brenda afatit prej dy (2) vitesh ti kryejnë detyrimet e parapara me Udhëzimin Administrativ”.

Ky udhëzim është miratuar në mbledhjen e qeverisë së Kosovës dhe nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa më 18 shkurt 2016, por qeveria e Ramush Haradinajt, në vendimin e marrë një vit e gjysmë më vonë urdhëron institucionet relevante që “të plotësohet dhe ndryshohet ky nen” në pajtim me vendimin e marrë ndërsa e obligon Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për zbatimin e vendimit.