Kush janë personat të cilëve Ambasada Amerikane thotë se nuk do t'u jap vizë?

Gjatë ditës së sotme Ambasada Amerikane përmes një komunikate për media ka deklaruar se kjo Ambasadë nuk do të lëshojë viza për personat që janë të përfshirë në afera korruptive.

Përmes kësaj deklarate thuhet se qytetarët e Kosovës e meritojnë një sistem drejtësie që mban individët përgjegjës për veprimet e tyre korruptuese.

Ambasada ka bërë të ditur se është duke përgatitur edhe hapat konkretë për parandalimin e personave të involvuar në korrupsion që mos t’u lejohet udhëtimi drejt ShBA-ve.

“Lidhur me këtë, Ambasada e SHBA-ve është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm”, thuhet tutje në deklarimin e kësaj Ambasade.

Tutje Ambasada ka përmendur edhe disa prej rasteve të njohura për korrupsion në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezent në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, thuhet në fund të deklaratës së Ambasadës Amerikane.

Në mesin e rasteve të përmendura nga Ambasada Amerikane është rasti “Pronto”, rast në të cilin të akuzuar janë: Adem Grabovci, Ilhami Gashi, Besim Beqaj, Nijazi Kryeziu si dhe shtatë persona të tjerë.

Në aktakuzën rreth këtij rasti trajtohet çështja e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale.

Sipas aktakuzës, këta persona kanë keqpërdorur pozitat zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete dhe duke u dhënë privilegje dhe përparësi në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme  siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Rasti tjetër që e ka përmendur Ambasada Amerikane është edhe rasti me viza italiane, ku të akuzuar janë: Ukë Rugova, Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija si dhe 15 persona të tjerë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale, Ukë Rugova ishte pjesë e një grupi kriminal qëllimi i të cilit ishte përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Përmes kësaj aktakuze, Prokuroria pretendon se plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në lidhje me aktivitetet e grupit.

Në mesin e rasteve për të cilat Ambasada Amerikane tha se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës për vepra të korrupsionit dhe krimit të organizuar vepra këto të cilat sipas Ambasadës janë prezentë në rastet e lartpërmendura është edhe rasti “Toka 1 dhe 2”.

Të akuzuar në rastin “Toka 1” janë: Azem Syla, Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Hajrullah Berisha si dhe 15 persona të tjerë.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Lidhur me këtë rast Prokuroria Speciale pati ngritur dy aktakuza kundër disa personave të ndryshëm.

Në aktakuzën e dytë, i njohur si rasti “Toka 2”, të akuzuar janë edhe shtatë persona të tjerë.

E në mesin e këtyre rasteve që u përmend sot nga Ambasada Amerikane është edhe rasti i Sami Lushtakut i cili bashkë me 23 persona të tjerë përballën me aktakuzën për arratisjen nga QKUK-ja.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Sa i përket rastit Apex, rast të cilin po ashtu e ka përmendur Ambasada Amerikane, në dhjetor të vitit 2017, Gjykata e Apelit ka marrë aktvendim ta hedh poshtë këtë aktakuzë me arsyetimin se është e palejueshme dhe e parregullt.

Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, Arben dhe Astrit Krasniqi, Arben Neziri, Avni Morina, Mujë Berisha, Gani Zekiraj, Kushtrim Hakaj, Ilir Morina, dhe Luan Halilaj nuk do të vazhdojnë të ndiqen penalisht.

https://kallxo.com/amerika-nuk-u-jep-vize-te-korruptuarve/