Ismet Temaj, ushtrues i detyrës së rektorit të Universitetit të prizrenit "Ukshin Hoti".

Kush është rektori i zgjedhur në Universitetin e Prizrenit?

Pas dështimit të zgjedhjeve të para dhe vendosjes së tij të përkoshme në krye të Universitetit të Prizrenit, Ismet Temaj u zgjodh sërish rektor i ‘Ukshin Hoti-it’.

Zgjedhja e tij herën e parë u përcoll me shumë parregullsi ndërsa pati edhe akuza për ndikim politik nga Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje.

Në mbledhjen e mbajtur sot, gjashtë anëtarët e Këshillit Drejtues nga 7 sa janë gjithsej, votuan pro për zgjedhjen e Temajt.

Kjo zgjedhje erdhi një javë pasi u bënë intervistimet e kandidatëve dhe arsyetim për këtë vonesë ishin udhëtimet e profesorëve, anëtarë të KD-së.

Përpos Temajt, kandidatë pë rektor ishin edhe  Kadri Kryeziu, Naser Pajaziti, Bekim Berisha dhe Hamdi Hoti.

Cila është karrierra e Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj ?

Ismet Temaj ka kualifikimin e një matematicienti.

Ai kishte qenë profesor i matematikës dhe nga viti 2001 ka punuar profesor në Shkollën  “Xhevdet Doda” .

Nga viti 2004 ishte profesor në Fakultetin e Edukimit në  Universitetin e Prishtinës, ku ishte edhe shef i programit.

Në Universitetin e Prizrenit Ismet Temaj është angazhuar si profesor që nga themelimi i Universitetit.

Ndërkaq prej vitit 2012 deri 2018 ka ushtruar edhe funksionin e Dekanit në Fakultetin e Edukimit në këtë universitet.

Që nga dhjetori i vitit 2018, Temaj ishte zgjedhur në pozitën e u.d. Rektorit në UPZ.

Lidhja me politikën.

Lidhja Demokratike e Kosovës është i vetmi asoocim publik i Ismet Temajt me politikën.

Të paktën kështu kishte deklaruar ai, duke përsëritur se as me këtë parti më nuk ka lidhje.

Megjithatë, ky kandidat ishte i zgjedhuri për të disatën herë me insistim nga Këshilli Drejtues, kryesuesi i së cilës, Bedri Muhadri, është anëtar i Partisë Nisma Socialdemokrate.

Nga kjo parti vjen edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

Demir Limaj, vëllai i kryetarit të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ishte takuar me Temajn ditën kur u mbajtën intervistat me kandidatët për rektor, javën e kaluar.

Në shkurt të vitit 2019, Ismet Temaj në një intervistë për KALLXO.com, kishte mohuar kategorikisht që Universiteti i Prizrenit  është i ndikuar nga politika.

Megjithatë, Universiteti i Prizrenit me në krye Temajn,për dallim nga të gjitha universitetet tjera publike, nuk i ishte bashkuar grevës dhe kërkesës për shkarkimin e Ministrit të Arsimit.

”E konsideroj të paarsyeshme kërkesën e tyre për shkarkimin e Ministrit, sepse ne jemi universitete që kemi synimet tona. Duhet të merremi me çështje që i takojnë universiteteve e jo çështje politike duke kërkuar shkarkimin e ministrit apo çështje tjera politike”, kishte thënë Temaj.

KALLXO.com e përcolli votimin e sotëm drejtpërdrejt.

Në bazë të Statutit të universitetit, mandati i Rektorit është katër vjet, me mundësi rizgjedhje edhe për një mandat.

https://kallxo.com/riciklohen-zgjedhjet-per-rektor-ne-universitetin-e-prizrenit-zgjedhet-ismet-temaj/