Debati për mediet dhe korrupsionin | Foto: KALLXO.com

Kush e Nisi Korrupsionin?

Këtë pyetje e bëri stand-up komediani Dardan Islami.

Pastaj debati i moderuar nga Agron Bajrami me pjesëmarrje të Conny Abel nga Transparency International, Suhad Babba nga organizata “Just Vision” dhe Kreshik Gashi nga KALLXO.com që është i katërti kundër korrupsionit në Festivalin “Dokufest”, synoi t’i përgjigjet pyetjes se sa mund të ndihmojë media dhe zhvillimi teknologjik në luftimin e korrupsionit në njërën anë dhe sa mund ta ndihmojë po kjo teknologji sofistikimin e korrupsionit në anën tjetër?

Për Abel-in gjëja më e rëndësishme është se sot tabloja e korrupsionit ka ndryshuar shumë.

“Sot korrupsioni nuk është imazhi i përgjithshëm i qytetarëve, një valixhe me para poshtë tavolinës. Sot nevojitet vetëm shtypja e një butoni për të transferuar mijëra dollarë,” tha ajo.

Sipas saj, teknologjia ndihmon shumë në gjetjen e informatave për nivelin e korrupsionit, por po teknologjia e bën edhe më të lehtë këtë dukuri.

“…teknologjia mund të ndihmojë luftimin e korrupsionit, por e njëjta mund të ndihmojë edhe në lulëzimin e tij,” tha Abel.

E në lidhje me medien dhe teknologjinë, Kreshnik Gashi foli për KALLXO.com-platformën online të raportimit të korrupsionit, ku qytetarët mund të raportojnë pa treguar identitetin e tyre.

“Sot pas 4 viteve të funksionimit kemi mbi 7 mijë raporte denoncuese në KALLXO.com. Veç kësaj kemi krijuar edhe një mobile app që qytetarët me pasë ma lehtë me raportu korrupsionin,” tha Gashi.

E sa i përket teknologjinë, ai tregon edhe për futjen në përdorim të kamerave 360 shkallëshe, të cilat ofrojnë pamje të të gjitha anëve.

“Këto kamera i kemi përdorë në objektet e gjykatave, ku kemi pa që aty ka edhe diçka tjetër prapa shpinës. Synojmë t’i përdorim edhe në shumicën e aktiviteteve publike, si komisione e grupe parlamentare, në mënyrë që me mrri me i ‘rrethu’ këta zyrtarë që na kanë ‘rrethu’ neve,” tha Gashi.

Ndërsa Babba nga “Just Vision”, organizatë që veç luftimit të korrupsionit merret edhe me raportet Izrael-Palestinë, tha se në ShBA dhe shtetin hebraik mediat kontrollohen nga individë me interesa politike e tregtare.

“..ata e kontrollojmë nivelin e përgjithshëm të shoqërisë,” tha Babba.

Madje ajo tha se ushtria izraelite veç përmbajtjes kontrollon edhe aspektin kohor të publikimit të storjeve.

E pyetur se sa u besohet ranglistave/indeksit të Transparency International apo ai është vetëm perceptim, Abel tha se perceptimi është diçka që nuk duhet neglizhuar, pasi sipas saj i njëjti shton vetëdijesimin.

“Mënyra se si ne bëjmë krahasimin dhe çfarë bën indeksi ynë si shembull kemi termometrin që e mat temperaturën, por i njëjti nuk tregon se nga ka ardhur temperatura. Kështu është edhe me punën tonë, ne e dimë që ka korrupsion, por duhet më shumë punë për të kuptuar nga dhe si vjen ai,” sqaroi Abel

Kreshnik Gashi foli edhe ndikimin e medieve në luftimin e korrupsionit.

E nisi me qytetin e Prizrenit, duke përmendur hulumtimin se si objektet e vjetra të trashëgimisë kulturore janë rrënuar, e mbi to janë ndërtuar motele e ndërtesa shumëkatëshe. E gjitha kjo në qendër të qytetit, aty ku çdo ditë gjyqtar e prokuror ka pirë kafe.

“Pas raportimit tonë prokuroria na ka thënë se do të nisin hetimet. Veç kësaj kujtojmë edhe rastin e anulimit të tenderit të djemve të tij nga Kryeministri e shkarkimin e këshilltarit të tij nga kryeparlamentari,” tha Gashi.

KALLXO.com shkroi për “të fuqishmit” e hotelerisë së Prizrenit, tenderin për servisimin e BMW-së së Kryeministrisë së fituar nga djemtë e Kryeministrit dhe për një këshilltar të Kadri Veselit që u dënua për trafikim narkotikësh.

Prizreni i Sunduar nga të Fuqishmit e Hotelierisë

Djemtë e Isa Mustafës Fitojnë Tenderë nga Kryeministria

http://kallxo.com/keshilltari-i-kadri-veselit-akuzohet-per-shitje-te-droges-te-ushtaret-e-kfor-it/

Ndërsa Bajrami, i cili foli edhe në rolin e moderatorit, tha se ka dallim tejet të madh mes periudhës së para 20 vjetëve e kësaj sot, duke kujtuar kohën kur korrespondentët dërgonin informatat me faks.

“Esenca për mua mbetet media, jo teknologjia. Kur ni media nuk don me ekspozu korrupsionin, çfarëdolloj teknologjie le të vijë, ajo prapë nuk do ta ekspozojë atë,” tha Bajrami.

Veç mediave, u fol edhe për shoqërinë civile dhe bashkëpunimin mes këtyre dyjave.

“Në Kosovë e ki problem me i nxjerrë 200 njerëz në rrugë për aferë. Roli i shoqërisë civile me i eduku qytetarët. Kemi problem në shoqëri, duhet fushatë me eduku për me pas reaksion ndaj këtyre fenomeneve,” tha Gashi.

E Bajrami foli për keqkuptimin që kanë media dhe shoqëria civile.

“Duhet bashkëpunim mes këtyre dyjave, por ka dallim esencial mes shoqërisë civile e medias. E para proteston, e dyta raporton protestën,” tha Bajrami.

E Abel e mbylli diskutimin duke thënë se askush nuk lind i korruptuar, duke nënkuptuar se korrupsioni  nuk është fakt jete por shoqëritë e zhvillojnë atë.

“Shoqëritë mund të bëjnë ndryshime. Çështja është se si trajtohet. Mendoj që sundimi i ligjit është esencial, ka vende që kanë ligjet më të mira në botë, por kur ato nuk zbatohen mbesin të bukura vetëm në letër,” tha Abel

Sot mbyllet cikli i debateve mbi korrupsionin në kuadër të “Dokufestit”.