Ekipi negociator i Kosovës gjatë një takimi me presidentin, kryeparlamentarin dhe kryeministrin e Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kush do të negociojë në emër të Kosovë?

Ndonëse dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka mbetur i ngrirë që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, institucionet e Kosovës nuk kanë pushuar punën në kuadër të përgatitjeve për fazën finale të negociatave.

Gjatë kësaj kohe sa dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian mbeti i bllokuar, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime në drejtim të fuqizimit të rolit të vet në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Përplasjet ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me idenë për korrigjim apo ndryshim të kufirit, opsion të cilin Haradinaj e kundërshton, kanë reflektuar edhe në shtimin e përpjekjeve të Haradinajt dhe Qeverisë për t’i marrë presidentit Thaçi, primatin në dialog përmes miratimit të Ligjit, platformës dhe formimit të Ekipit negociator.

Ndërmarrja e këtyre veprimeve u mundësua vetëm pasi që Qeveria e Kosovës u mbështet në këto hapa edhe nga Partia Socialdemokrate (PSD) e cila ndodhet në opozitë.

Deputetja e PSD-së, Aida Dërguti mendon se Kuvendi është adresa më e mirë për udhëheqjen dhe vendimmarrjen sa i përket dialogut.

“Është hera e parë që përgjatë procesit të dialogut është krijuar një hapësirë, një mundësi që Kuvendi të marrë më shumë përgjegjësi rreth dialogut. Ne edhe ashtu jemi Republikë parlamentare dhe si e tillë do të duhej që Parlamenti të luajë një rol shumë të rëndësishëm në dialog”, thotë Dërguti.

Por, sa në fakt Qeveria dhe kryeministri Haradinaj po arrijnë që të zbehin rolin e presidentit në dialog? Politologu Ramush Tahiri thotë se Kosova ka ndërtuar një platformë të cilën e ka dorëzuar në Bruksel dhe ka krijuar një ekip i cili duhet t’i udhëheqë bisedimet në nivel të Qeverisë. Por, në asnjë variant, sipas tij, kompetencat e presidentit nuk mund të kalohen dhe se presidenti duhet të jetë ai që e nënshkruan marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar se kjo është edhe e drejtë kushtetuese kushdo që të jetë president në kohën kur të arrihet marrëveshja.

“Me dialogu udhëheq Ekipi negociator dhe bisedimet praktike ose deri në marrëveshje i sjell ekipi. Mirëpo, marrëveshjen ndërkombëtare nuk ka të drejtë ta nënshkruajë ekipi, atë e bën presidenti, sepse është e drejtë kushtetuese dhe Kuvendi ose askush nuk mund ta kapërcejë Kushtetutën. Ky ekip, praktikisht, juridikisht, konsiderohet ekip ndihmës i presidentit ose ekip i Kosovës, por që e përgatit marrëveshjen”, tha Tahiri.

Aktualisht, Ekipi negociator bashkëkryesohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti. Por, aty nuk bëjnë pjesë edhe dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në një analizë të prezantuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë, thuhet se me gjithë veprimet që janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës në lidhje me dialogun, nuk është zgjidhur çështja e përfaqësimit dhe as e vendimmarrjes në këtë proces.

Bazuar në analizën e këtij grupi, të prezantuar nga Përparim Kryeziu, thuhet se Prishtina zyrtare duhet të formojë një Ekip uniteti, i cili do të kishte rol joformal dhe do të përbëhej nga liderët politikë të të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend, në mënyrë që të mundësohej arritja e një konsensusi politik. Kurse përgjegjësinë për udhëheqjen e dialogut, sipas këtij grupi, duhet ta marrë Qeveria dhe kryeministri.

“Qëndrimet negociuese të bazuara në këtë pajtueshmëri të krijuar nga ky grup joformal, gjithëpartiak i unitetit politik, duhet të prezantohen në dialog vetëm nga Qeveria, përkatësisht kryeministri, pasi që Qeveria si institucion ka kompetenca kushtetuese për zbatimin e politikës së jashtme dhe e cila drejtpërdrejtë i nënshtrohet kontrollit dhe i përgjigjet Kuvendit”, tha Kryeziu, duke prezantuar analizën e Grupit për Studime Juridike.

Edhe partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se Qeveria, pavarësisht mbështetjes nga një subjekt opozitar, nuk mund të përcaktojë mekanizma për politikën e jashtme dhe dialogun, përderisa çështjet janë të definuara me ligje dhe me Kushtetutë. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se çështja e kompetencave është e rregulluar me akte ligjore dhe nuk mund të ndryshohet.

“Ajo që dihet e që është e qartë është se kompetencat kushtetuese nuk mund të ri-aranzhohen dhe as të barten nga një institucion në tjetrin, as me marrëveshje politike, as me platforma e as me rezoluta e madje as me Ligjin për dialogun. Por, ajo që është shqetësuese është mentaliteti qeverisës i kësaj klase politike që mendon dhe i jep vetes të drejtë se mund të ri-aranzhojë këto të drejta kushtetuese përmes platformës dhe Ligjit për dialog”, thotë Hoti.

Sido që të jetë, pavarësisht që ka shumë përplasje e mospajtime se kush duhet të udhëheqë me negociatat dhe kush duhet të marrë vendime, roli i Kuvendit të Kosovës në ratifikimin e një marrëveshjeje eventuale shihet si i pashmangshëm.

Analistja e Institutit Demokratike të Kosovës, Jeta Krasniqi thotë se vetëm një Kuvend i fuqishëm garanton edhe një proces të fuqishëm.

“Mbikëqyrja është element kryesor, pasi që kemi vlerësuar se në këtë mënyrë do të arrihet transparenca, por do të arrihet edhe bashkërendimi në mes të institucioneve që është i rëndësishëm më pas edhe te faza finale, që është edhe ratifikimi i marrëveshjes eventuale midis dy palëve”, tha Krasniqi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011, fillimisht për zgjidhjen e çështjeve teknike dhe më pas ka evoluar në dialog politik, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Tashmë, të dyja vendet gjenden, siç është thënë, para fazës përfundimtare të këtij procesi, i cili do të duhej të përfundonte me një marrëveshje paqeje. Aktualisht, Serbia ka ndërprerë dialogun, për shkak të taksës prej 100 për qind për mallrat e këtij vendi, të cilën masë e ka vendosur Qeveria e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar.

Përveç Bashkimit Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë kërkuar palëve t’i lënë kushtëzimet dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve për të përmbyllur me marrëveshje procesin, edhe atë gjatë këtij viti.s me Serbinë?