Mimoza Kusari - Lila- Alternativa

Kusari Lila: Presidenti jo rastësisht nuk po e kryen obligimin për kompletimin e KQZ-së

Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, tha se mosplotësimi i KQZ-së i përcaktuar me Kushtetutë nga ana e presidentit është jo vetëm shkelje e Kushtetutës por edhe bastardim i pozitës së presidentit.

Sipas Kusari Lila presidenti jo rastësisht nuk po e kryen këtë obligim.

“Në mënyrën e vet dhe formën e praktikuar shumë shpesh në Kosovë ai po tregon para qytetarëve të Kosovës së ai mban kontroll mbi procesin. Krejt esenca është me tregu që nëse ne po flasim për zgjedhje se a do të ketë zgjedhje, a shkojmë në zgjedhje, qytetarët çdo ditë e bëjnë këtë pyetje, është një njeri që në zgjedhje mund të shkojmë veç kur don aj dhe ai është presidenti i vendit për arsye se nuk mund të shkojmë në zgjedhje përderisa nuk e kemi të plotësuar KQZ-në”, tha Kusari Lila.

Kusari Lila shtoi se ky proces nuk po e mban vendin peng vetëm në nivelin qendror por edhe atë lokal. “Mungesa e plotësimit të këtij institucioni po e mban peng edhe funksionimin e 4 komunave në veri Leposaviq, Zubin Potok, Zveqan dhe Mitrovicë e Veriut”, tha ajo.