Mimoza Kusari- Lila në Debat Pernime - Foto: KALLXO.com

Kusari- Lila: Buxheti 2019 pa buxhetim gjinor

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës për projektbuxhetin e vitit 2019 përsëri ka vazhduar diskutimet.

Deputetja Mimoza Kusari- Lila në diskutimin për buxhetin tha se ky buxhet nuk ka buxhetim gjinor.

“Debati i buxhetit duhet të jetë ne mes nesh dhe prioriteteve në mënyrë të qytetarëve, ky buxhet e tregon qartë klientelizmin. Ne ju tregojmë qytetarëve që ky projekt nuk ka buxhetim gjinor, që të tregojë se cili është buxheti jonë në 50 për qind të popullatës e që ne përmendim vetëm në data të veçanta, ditë të veçanta, kryesisht për tortura e vetëm në muajin mars”, tha Kusari- Lila.

Po ashtu Kusari- Lila tha se ky buxhet nuk përmban asnjë nga temat që ky Kuvend ka mbajtur seanca të jashtëzakonshme.

“Ky buxhet nuk përmban asgjë që ne kemi diskutuar këtu në seancë të jashtëzakonshme, aeroporti i Gjakovës, projekti i Brezovicës e shumë projekte të tjera”, tha Kusari- Lila.

Kusari- Lila ka diskutuar edhe për buxhetin e ndarë për veteranët dhe invalidët e luftës së fundit në Kosovë.

“Pse të rritet buxheti i Kosovës kur mendohet se kjo listë do të reduktohet pas akuzave të para për këtë kategori, pse ky buxhet të shkojë në 100 milionë euro ndërsa buxheti i arsimit të jetë 60 milionë euro, edhe buxheti i caktuar për shëndetësi është në proporcion 1 me 5 në raport me buxhetin e ndarë për asfaltim, pse duhet që shëndetësia të jetë sekondare”, shtoi Kusari- Lila.

Ministri i Financave ka replikuar ndaj deklaratave të Mimoza Kusari- Lilës duke thënë se me këtë buxhet përfitojnë të dyja gjinitë

 

“Rritja e buxhetit ka shkuar në arsim, shëndetësi nga ku përfitojnë dy gjinitë, nuk duhet të ndahet buxheti në vetëm njërën gjini”, tha Hamza.

Kurse për listat e veteranëve tha se pa u bërë rikategorizimi dhe mbyllja e listave nuk mund të ndërhyjnë në buxhet.

“Për veteranët, derisa nuk bëhet rikategorizimi dhe nuk mbyllen listat ministria e financave e ka për detyrë që të veprojë në bazë të rregullores, kur të bëhet rikategorizimi dhe mbyllja e listave i shohim mundësitë për ribuxhetim”, shtoi Hamza.