Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz - Foto: Rtv21

Kurz: Po Anëtarësimit të Ballkanit, Jo Turqisë!

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, duke folur pas fjalimit vjetor që mbajti kryetari i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, rreth gjendjes në Bashkimin Europian, tërhoqi vërejtjen se Unioni nuk guxon të lejojë krijimin e një vakuumi në Ballkan.

Me anë në një komunikate, Kurz nënvizoi se në fqinjësi të Unionit, Ballkani Perëndimor përballet me rrezikun e radikalizimit dhe migracionit ilegal.

Stabiliteti dhe siguria mund të garantohen vetëm me një perspektivë të besueshme europiane.

“Bashkimi Europian nuk guxon të lejojë kurrfarë vakuumi në Ballkan, i cili do të mund të plotësohej nga ndonjë aktor tjetër”, tërhoqi vërejtjen Kurz.

Për dallim nga Ballkani, Kurz është i mendimit se për shkak të zhvillimeve në vend, Turqia nuk mund të ketë kurrfarë perspektive për anëtarësim në Union dhe kërkoi ndërprerjen e bisedimeve për anëtarësim me Ankaranë.

Në fjalimin për “Gjendjen e Unionit” sot në Parlamentin Europian, presidenti i Komisionit Europian la të kuptohet se nuk do të ketë zgjerim të BE-së së paku deri më 30 mars 2019 dhe se Serbia dhe Mali i Zi prijnë në garën për integrim në Union. /21Media