Sebastian Kurz, ish-kancelar i Austrisë

Kurz: Mbështesim çdo marrëveshje, qoftë edhe korrigjimi i kufijve

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka thënë të martën në Prishtinë se askush nuk do të dalë kundër një marrëveshjeje eventuale mes Kosovës e Serbisë, qoftë edhe nëse ajo përfshin idenë e korrigjimit të kufijve mes dy vendeve.

Kurz erdhi sot në Prishtinë një ditë pas qëndrimit në Beograd dhe u takua me Presidentin Hashim Thaçi ndërsa më vonë do të takohet edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Kam qëndrim të qartë, qeveria Federale a Austrisë pajtohet me cilëndo marrëveshje që bëhet mes Kosovës dhe Serbisë. Askush nuk do të jetë kundër asaj marrëveshje. Kjo është në kuadër të BE-së çkado qoftë marrëveshja, edhe nesë është edhe korrigjimi i territoreve, apo diçka tjetër do ta ketë mbështetjen marrëveshja e arritur”, tha Kurz gjatë një konference për shtyp.

Më herët Kurz nuk ka dhënë ndonjë sinjal se kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen deri në fund të këtij viti.

Kreu i qeverisë austriake, pas takimit me Presidentin Thaçi, tha se ka shumë shtete anëtare në Bashkimin Europian që janë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ka pasur një vendim pozitiv nga Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian por natyrisht pritet të merret vendimi nga Këshilli Europian. Ka shumë shtete që janë skeptike dhe këtu duhet të jem i kujdesshëm”, tha Kurz.

Por ai tha se Kosova duhet të arrijë edhe “hapa tjerë” dhe në këtë rast, përmendi edhe dialogun me Serbinë.

“Duhet të arrihen edhe disa hapa tjerë, e prioriteti kryesor është dialogu mes Kosovës e Serbisë”, tha Kurz gjatë vizitës në Kosovë.