Kurz kërkon nga Trump që Amerika 'ta shfrytëzojë ndikimin te kosovarët' për dialogun me Serbinë

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka thënë të ketë folur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë një takimi që kanë zhvilluar të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.

Siç raporton agjencia austriake e lajmeve APA, Kurz citohet të ketë thënë se ka kërkuar nga Trump që Amerika të përfshihet më shumë në këtë dialog dhe ta shfrytëzojë ndikimin e vet që ka në Kosovë.

Në Kosovë, SHBA ka “një ndikim të fuqishëm të cilin mund ta shfrytëzojë në mënyrë pozitive”, tha Sebastian Kurz.

APA raporton se Austria e shikon dialogun ndërmjet presidentëve Vuçiq e Thaçi si shumë pozitiv dhe “gjithashtu mund të mbështesë një shkëmbim territoresh” edhe nëse kjo është një zgjidhje “e ndjeshme”.

“Nëse të dy vendet pajtohen për diçka, ne europianët nuk duhet t’i pengojmë, e aq më pak amerikanët”.