Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Kurti: Z- Mobile është Kali i Trojës të cilën gjarpri ia imponoi dhuratë Telekomit të Kosovës

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje tha që Z- Mobile është aksionari kriminal i Telekomit të Kosovës.

“Kontrata e Telekomit të Kosovës me Dardafon, është krim i organizuar dhe është faktori kryesor i krizës në Telekomin e Kosovës, natyrisht ka edhe faktorë të tjerë. Kontrata me Z-mobile është aktuale dhe dëmet vazhdojnë të thellohen. Z-Mobile ia plaçkitë mbi çerekun e të hyrave dhe kësisoj është shndërruar në aksionarin kriminal që ka 30 përqind të aksioneve dhe dëshiron ta marrë të tërën”, tha ai.

Sipas tij njeriu mbrapa të gjithë kësaj marrëveshjeje të dëmshme është pikërisht presidenti i vendit Hashim Thaçi.

“Prapa Z-mobile qëndron ish- kryeministri, tash President si dhe ish-shefi i shefave nga klani Pronto i cili njërit prej vëllezërve Devolli i ankohej se i është tharrë fyti, Z- Mobile pra është Kali i Trojës të cilën gjarpri ia imponoi dhuratë Telekomit të Kosovës”

“Prandaj sot nuk ka kuptim të flasësh për askënd përveç policisë dhe prokurorisë, të gjithë e dimë që prokuroria dhe policia duhet të veprojë”, tha ai.

Tutje Kurti kritikoi edhe menaxhmentin e Telekomit, duke i cilësuar si njerëz pa integritet dhe jo kompetent.

“Agron Mustafa e ka marrë kompaninë me 48 milion euro, dhe e ka sjellë kompaninë me 200 mijë euro pasuri dhe me shumë borxhe të tjera. Pra drejtorët janë ndërruar njëri pas tjetrit, kemi edhe bordin por që të gjithë këta para se të jenë njerëz janë njerëz jo kompetent dhe pa integritet”, tha ai.

Sipas tij privatizimi do të ishte ‘fatal’ për një shtet ‘përtokë’ siç është Republika e Kosovës.

“Privatizimi është një problem shumë i madh, sepse e kemi shtetin përtokë, është e vërtet që një pjesë e aksioneve edhe të telekomeve nëpër vendet e zhvilluara ju takon edhe privatëve mirëpo ato janë shtete të fuqishme, shtetet e fuqishme e kanë luksin që një pjesë të konsiderueshme të ndërmarrjeve publike tua jep edhe privatëve, mirëpo një shtet përtokë si puna e Kosovës nuk e ka këtë luks. Me shtetin përtokë privatizimi është fatal” tha Kurti duke shtuar se edhe si zgjidhje afatgjate nuk e shohin privatizimin por Fondin Sovran.

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancën e jashtëzakonshme për gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës së vitit 2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.