Kurti: Tribunali siguron Serbinë që s'do të dënohet për dekada

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në seancën e sotme u shpreh i bindur se themelimi i Tribunalit për Gjenocidin e Serbisë është një ide e nxituar.

“Në këtë situatë ndodhemi si pasojë e idesë së Veseli dhe shefit të PAN-it për një Tribunal për gjenocidin e Serbisë. Pra, e kemi kontestin dhe pretekstin por nuk e e kemi tekstin. Se si ndërtohet çka bën, si ecë dhe ku mbërrin ky tribunal ndërkombëtar, nuk dihet tash e sa kohë ndonëse po kalojnë ditët e kësaj ideje si propozim. Edhe nëse  do të ishte e mundur të realizohet kush e di edhe sa vjet i merr themelimi dhe funksionimi i tij”, tha Kurti.

Deputeti i VV-së tha se ky Tribunal do të marrë shumë kohë për funksionimin e tij, njësoj sikurse Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale i bënë me 3 gusht, katër vjet, gati katër vjet më vonë s’ka aktakuza e leje më gjykime.  Kur thua Tribunal Ndërkombëtar kjo merr  shumë kohë, energji dhe të flasësh nuk do të thotë të ngutesh, do të thotë përkundrazi të mos ngutesh”, tha Kurti.

Lideri i VV po ashtu tha se ideja për Tribunal siguron Serbinë se nuk do të ndëshkohet për asgjë.

“Ideja për Tribunal i jep më shumë kohë Serbisë që do të kalojnë shumë vjet, me këtë ideja Serbia do të sigurohet që edhe për një dekadë s’do ta gjejë gjë. Tribunali prej kur lind ideja deri të funksinohet shumë vjet shkojnë. Shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur për vete, tribunal merr vjet”, tha Kurti.

Kurti propozoi që me krimet serbe të merren gjykatat vendore ose të paditet Serbia në Gjykatën Ndërkombëtare për Të Drejtat e Njeriut.

“Le ta mundësojmë gjykimin në mungesë të kriminelëve dhe të punojnë prokurorët tanë, kemi mjaftueshëm deputetë, po e votojmë gjykimin në mungesë. Nuk mund të nguteni me idenë e tribunalit ndërkombëtar.  Nëse jemi të sinqertë ne iniciative dhe e kemi seriozisht realizimin e saj le të përgatitemi për ta paditur Serbinë për gjenocid në GJND”, tha kreu i VV-së.

Deputetët e Kuvendit për momentin janë duke diskutuar për gjetjen e formës për t’i unifikuar qëndrimet për ta votuar sot formimin e Komisionit Shtetëror për formimin e Tribunalit për gjenocidin serb.