Albin Kurti në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Kurti: Do t’i Intensifikojmë Takimet me LDK-në

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili u regjistrua sot si deputet në Kuvendin e Kosovës tha se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

Ndërsa sa i përket takimeve të VV me LDK-në, ai theksoi se kanë pasur takime, por ato do të intensifikohen në ditët në vazhdim.

“Ne kemi pasur disa takime, por jo mjaftueshëm. Dhe besoj që ato do të intensifikohen në ditët në vijim, e posaçërisht pas 3 gushtit. Por ajo që mund të them tani është se unë besoj se është i mundshëm një dakordim programor, një platformë e përbashkët qeverisëse, në mënyrë që Kosovën ta vendosim në shtegun e progresit politik e kombëtar, shtetëror e institucional dhe socio-ekonomik”, theksoi Kurti.

Më tej, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër shtoi se në javët në vijim pavarësisht zhvillimeve politike apo ngecjeve institucionale besoj që do të ndodhemi në situatën kur VV do të rritet ndërkaq Kosova do të ngritet, qoftë kur ne ta formojmë Qeverinë e re, apo edhe nëse ka zgjedhje të reja parlamentare.

I pyetur rreth takimeve me ambasadorë të shteteve të ndryshme në Kosovë, Kurti tha se në këto takime po diskutohen sfidat e seancës konstituive si dhe qëndrimet dhe idetë e VV-së atëherë, kur ata do të jenë Qeveri. /21Media