Kurti thotë se nuk i Dirigjon Ata Që Fyejnë në Facebook

Kryetari i zgjedhur i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si i vetmi kandidat për kreun e kësaj partie, doli para mediave për të falënderuar ata që e votuan e për të ripërsëritur se ai si kryetar do të jetë i hapur ndaj mendimit ndryshe dhe se nuk përfaqësohet nga ata që ofendojnë.

“Unë jap shembullin me profilin tim dhe deklarimet e mija. Asnjëri që ka shkruar në Facebook nuk më ka përfaqësuar mua, e asnjërin se kam dirigjuar e as se kam ndërmend ta bëj”, tha Kurti kur u pyet nga gazetarët për ofendimet që po u bëhen të dorëhequrve ne Vetëvendosje.

Kurti në një konferencë me shumë pyetje, tha se në Vetëvendosje nuk ka ndarje, por vetëm dorëheqje.

“Së pari nuk mund të them që në Vetëvendosje ka ndarje, ka disa dorëheqje të aktivistëve që janë të zëshëm, ka mospajtime, por nuk janë ndarje”, tha ai.

Kurti tha se zgjidhje nuk janë dorëheqjet, por pjesëmarrja aktive e të dorëhequrve.

“As nuk mbaj inat, e as nuk do të hakmerrem e as nuk do ta përdor dorën e hekurt që disa po e kërkojnë. Demokraci do të thotë që secili mund ta ketë fjalën i pari, por askush i fundit”, tha ai.

“Unë e kam vullnetin e hekurt, jo dorën e hekurt”, shtoi Kurti.

Kur u pyet nëse aktivistët e thërrasin “babë” e “komandant”, siç dje u shpreh deputetja, Shqipe Pantina, ai tha se ka dëgjuar ta thërrasin gabimisht kryetar kur nuk ka qenë, por asnjëherë “babë” e “komandant”.

Tutje kryetari i sapozgjedhur tha se e duan një organizatë konstruktive e vetëkritike, e jo një organizatë, siç tha ai “që nuk do të ketë sharje ofendime, e sidomos abuzime të atyre që janë më lart në hierarki se atyre që janë më poshtë”.

E kur u pyet për raportim me Dardan Molliqajn u përgjigj shkurt “Jemi të dy deputetë në grupin e njëjte parlamentar”

Më pas ai tha se është më optimist për “pajtim” mes të dorëhequrve dhe “krahut të tij”.

“Unë isha më optimist në fund të mbledhjes së në fillim të saj. Tash është detyrë e Shpendit [Ahmetit] e Glaukut [Konjufcës] të bisedojmë më tutje”, tha kryetari i Vetëvendosjes.

Kurti falënderoi ata që e votuan, por edhe ata që janë anëtarë e nuk dolën në zgjedhje.

“Do të jem kryetar i të gjithëve, sepse do t’u shërbejë të gjithëve”, u shpreh Kurti, duke shtuar se platforma që ka prezantuar nuk do të hyjë në fuqi automatikisht, ngase siç tha ka marrë vërejtje dhe do t’i shqyrtojë.

Albin Kurti është njëri ndër themeluesit e Vetëvendosjes dhe ky është mandati i tij i tretë në krye të saj.