Kurti thotë se e ka tronditur rasti i 16 vjeçares nga Drenasi

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha sot se rasti i abuzimit dhe dhunimit seksual të 16-vjeçares nga Drenasi e ka tronditur.

“Abuzimi i saj, fillimisht prej mësuesit e më pas prej policit ku kishte shkuar të gjente mbrojtje, të trishton.  Kjo është gjendja ku e kanë prurë shtetin dhe shoqërinë njerëzit që e kanë bërë njësh detyrën zyrtare e profesionale me krimin e kthyer në rutinë të përditshme, njerëzit që bëjnë çfarë të tjerët as s’e imagjinojnë dot vetëm pse munden, njerëzit që e dinë se ata nuk i ndjek ligji kurse viktimat e tyre nuk do t’i mbrojë ligji”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Ai tutje tha se e përkrah protestën qytetare, por shprehi keqardhje që nuk mund të jetë pjesë e saj për shkak të një vizite zyrtare.

“Ne duhet të tregojmë se shumica jonë nuk e duron abuzimin e atij që ndodhet në pozitën e të dobëtit. Shumica e mësuesve, shumica e policëve, shumica e mjekëve, shumica e qytetarëve, duan dhe do të solidarizohen me më të dobëtit. Prandaj e përkrah protestën qytetare, e më vjen keq që nuk jam aty, sepse gjendem në një vizitë zyrtare në Seul të Koresë së Jugut”, tha Kurti.

Ai madje edhe fajin për mosndëshkimin e këtyre dukurive ia hedhë politikës.

“Kulturën e pa ndëshkueshmërisë, kulturën e abuzimit me pushtetin, e kemi peshqesh nga një lloj i caktuar politikanësh që kanë qeverisur deri më sot. Pushteti i tyre krijon lejen e abuzimit me të dobëtin, të varfrin, gruan, vartësin, minoritarin, sipas modelit mujshar të pushtetit të vjetër”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, të martën u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht fillimisht nga profesori Sh.Xh. dhe nga hetuesi policor V.V., ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.

Ndërkaq, sot qindra qytetarë kanë protestuar para stacionit të Policisë në Prishtinë, kurse nesër protestë pritet të mbahet në Drenas prej orës 12:00.

Në lidhje me këtë rast ka pasur reagime edhe nga ndërkombëtarët e politikanët vendorë.