Kurti, Thaçi e Ahmeti flasin për marrëveshje me Serbinë

Një konferencë që diskuton çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, ka bashkuar si rrallëherë presidentin Hashim Thaçi, Kryetarin e Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti dhe kryetarin e partisë opozitare, Albin Kurti.

Thaçi, Kurti e Ahmeti që janë kundërshtarë të mëdhenjë politik, janë ulur në të njëjtën tavolinë dhe do të flasin për temën “Zëri i Popullit rreth ‘finales së madhe’, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në konferencë po merr pjesë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dhe shumë persona nga faktori ndërkombëtar ndërsa temat kryesore pritet të jenë, mbarëvajtja e dialogut, nëse ai duhet të vazhdohet.

Po ashtu, mendimet e qytetarëve për një marrëveshje eventuale me Serbinë.

Presidenti Hashim Thaçi shumë shpesh është kritikuar se po e shtyn idenë një korrigjimit të kufijve me Serbinë si pjesë e zgjidhjes së përgjithshme.

Në anën tjetër, Kurti dhe Ahmeti janë në rivalitet politik pasi ky i fundit iu largua Vetëvendosjes dhe bashkë me një grup tjetër nga Vetëvendosja u bashkuan në Partinë Socialdemokrate.

Qëndrimet e të treve në këtë tavolinë lidhur me dialogun nuk janë të ngjashme.