Albin Kurti | Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Kurti: Rezoluta për Telekomin ishte dashur të zbatohet me kohë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar kohën e një viti më parë, kur Kuvendi i Kosovës kishte nxjerrë një Rozulutë për Telekomin e Kosovës.

Sipas Kurtit, nëse ishte zbatuar ajo Rozulutë, sot Telekomi do të ishte në një gjendje tjetër.

“Asnjë fjalë Qeveria dje për njëvjetorin e Rezolutës së Kuvendit për Telekomin e Kosovës. Më 12 korrik 2018 u mor vendimi edhe që duhet të mbrohet Telekomi edhe si duhet të nxjerret nga kriza ai. Asnjë fjalë asnjë zyrtar. Aty në 12 pika përshkruhen hapa të cilët nëse ishin ndërmarrë me kohë nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse, sot Telekomi do të kishte marrë frymë lirisht”, ka vlerësuar ai.

“Por PANQeveria zgjodhi të eksperimentojë me persona joprofesionistë e të kompromentuar nga radhët e tyre, në krye të Telekomit”, ka shkruar kryetari i LVV-së në “Facebook”.

Sipas tij, kontrata me ‘Z-Mobile’ do të duhej të shkëputej ndërsa ka numëruar edhe mënyrat e fitimit nga kompania e Blerim Devollit.

“Aktualisht qeveria dhe drejtuesit e Telekomit po hamendësohen a do t’ia shkëpusin apo jo kontratën Z-Mobile dhe kur do t’ia paguajnë gjobën arbitrare, në vend se prerazi të merrnin vendim për ndërprerjen e saj dhe ta dërgonin në organet e sigurisë e drejtësisë këtë rast të krimit të organizuar”, thuhet në postimin e Albin Kurtit.

“Në ekonominë e vendit tonë, Z- Mobile nuk është krijuese e vlerës dhe pasurisë por rrëmbyese e tyre. E ky rast nuk është i izoluar. Ai përshkruan sferën e tyre të veprimit: grabit, grabit, grabit. Një herë nga e mira publike, një herë si kompani në kurriz të publikes dhe një herë si gjobë ndaj publikes”, deklaron tutje ai.

Ai ka thënë në fund se Telekomi i Kosovës do t’i mbijetoj atyre që dëshirojnë ta grabisin, ndërsa ka premtuar mbështetje nga partia që drejton.

“Telekomi do t’i mbijetojë grabitësve. Padyshim. Por si në çdo fushë nevojitet organizim i profesionistëve të ndershëm, i punëtorëve të devotshëm dhe i sindikatës aktive. Mbështetja jonë nuk ka për të munguar”, thuhet në fund të postimit.