Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Kurti: Qeveria Haradinaj, qeveri terpijanësh

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për KALLXO.com e ka komentuar Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri në largim, Ramush Haradinaj.

Ai e ka quajtur këtë Qeveri, si ‘Qeveri terpijanësh’ e ‘Qeveri të lakmisë’.

“Kjo ishte një Qeveri me skandale të përditshme e cila e rriti kapjen e shtetit të Kosovës. Ishte Qeveri terpijanësh, Qeveri e babëzisë, e lakmisë së pakontrollueshme, e grykësisë së pangopshme. Shumë mirë që ra”, ka thënë Kurti në këtë intervistë.

Megjithatë, ai e vlerëson rreshtimin e Haradinajt karshi “aventurave të presidentit”.

“Pas protestës masive të 29 shtatorit 2018, protestës më të madhe të Kosovës së pasluftës me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, ish kryeministri u pat rreshtuar drejt, kundër aventurave personale e akrobacioneve të rrezikshme të presidentit për pazare territoresh me Serbinë. Kjo sigurisht që është për t’u vlerësuar pozitivisht”, ka thënë tutje Kurti.

Mirëpo, ai përmes kësaj intervistë ka bërë thirrje të bëhet kujdes nga qëndrimi i Haradinajt për territoret, duke kujtuar ndryshimin e qëndrimit për demarkacionin me Malin e Zi.

Ai e ka vlerësuar pozitivisht edhe kalimin e 3 ligjeve për FSK-në, por thotë se nuk është bërë mjaftueshëm në këtë pozicion.

“Mangësia është që ndryshimi në letër i FSK-së nuk u përcoll edhe me ndryshim buxheti. Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është mbi pesëfish më i lartë sesa i Ministrisë së Mbrojtjes”, ka thënë tutje Kurti.

Intervistën e plotë të Albin Kurtit për KALLXO.com mund ta lexoni më poshtë.

Intervistë me Albin Kurtin: LVV dhe LDK duhet të bëhet qeveri e re

www.kallxo.com