Kurti për iniciativën e Tribunalit: Kadri Veselit nuk i beson më askush

Pas lëshimit të seancës për formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin e Serbisë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se kryetari i Kuvendit nuk mund të kërkojë votimin e këtij Tribunali kur tashmë ka humbur besimin e të gjithëve.

Përmes rrjetit social Facebook, Kurti ka deklaruar se Kadri Veseli kërkoi Tribunal Ndërkombëtar për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, ‘duke dëshmuar që dikush tjetër na u dashka të merret me këtë çështje dhe jo vetë Kosova si shtet’.

“E, paraprakisht kishte deklaruar se kriminelët serbë do t’i tërheq zvarrë! Kërkesa për Tribunal Ndërkombëtar është dorëzim para krimit të Serbisë, është heqje dorë nga e drejta dhe detyra e shtetit tonë të pavarur, e Republikës së Kosovës, për të sjellë drejtësi për viktimat tona të luftës. Kjo kërkesë vetëm sa amniston prokurorët e Kosovës që paguhen nga buxheti i shtetit e të cilët sa i përket krimeve të luftës, në rastin më të mirë, ishin pasivë”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, iniciuesi për themelimin e këtij Tribunali, nuk e ka hallin për mungesën e një Tribunali të tillë, por e ka hallin tek ai Special.

“Pra, nuk e ka qëllimin për të sjellë drejtësi për viktimat tona dhe dënim për kriminelët serbë (sepse i pati 20 vjet për këtë punë teksa kishte në pronësi thasë me informacion që pohonte se ShIK-u ka arritur t’ia marrë Serbisë). Jo, ai po orvatet t’i kundërvihet Gjykatës Speciale të cilën vetë këta e sollën më 3 gusht 2015, me trysni të paparë mbi deputetët e tyre”, ka thënë Kurti.

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka shtuar më tej se Veseli sot është dashur të marrë përgjegjësi dhe të jap dorëheqje, por sipas tij, ai vendosi t’ia hedh fajin deputetes së tij, Flora Brovinës, pas dështimit të sulmit mbi deputeten, Saranda Bogujevci.

“A është e mundur që ky ende nuk po e kupton që s’i beson më kush?”, pyet Kurti në fund.

 

Albin Kurti në Facebook

Lëvizja Vetëvendosje bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sot kanë liruar seancën e Kuvendit, e cila po mbahet për formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin e Serbisë, në luftën e fundit në Kosovë.

https://kallxo.com/vv-kerkon-doreheqjen-e-kadri-veselit-pas-fotografise-se-flora-brovines/