Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti: PDK dhe Lista Serbe garojnë me politikë të përbashkët në veri

Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje janë e vetmja alternativë për zgjedhjet e 19 majit që do të mbahen në komunat veriore të vendit, pasi PDK dhe Lista Serbe garojnë me politikë të përbashkët, ani pse garojnë me kandidatë të ndryshëm.

Kështu ka deklaruar të dielën lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, ku ka prezantuar kandidatët e këtij subjekti për kryetar të komunave në veri të vendit.

Ai tha se më 19 maj janë vetëm dy alternativa: në njërën anë Lista Serbe me PDK-në, e në anën tjetër kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, si alternativë e vetme për shqiptarët, boshnjakët, turqit e serbët.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe i kemi vetëm dy alternativa, nga njëra anë Lista Serbe dhe PDK-ja, nga anën tjetër kandidatët e Vetëvendosjes. Lista Serbe dhe PDK-ja nuk janë me kandidatë të përbashkët, por janë me politika të përbashkëta, për fuqizimin e ndarjes së copëtimit të Kosovës por edhe për legjitimin e strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Dorën në zemër, veç Lista Serbe si subjekt i krijuar në Beograd e që vepron me komandë direkte të Vuçiqit, nuk do të kishte mundësi që të vepronte në Kosovë e kundër Kosovës pa lejen dhe miratimin e PDK-së”, tha ai.

Sipas tij, PDK-ja ka përgjegjësi edhe për ndarjen e qytetit të Mitrovicës, teksa shtoi se kjo e fundit është pro faljes së veriut Serbisë.

I pari i Lëvizjes ka adresuar kritika ndaj qeverisjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, ku ka thënë se po qëndron prapa vendimit për taksën, pasi e ka kuptuar se ndryshe bie nga pushteti.

Ai tha se Haradinaj e dorëzoi Kosovën tek gabimi i Murat Mehës, duke mos e korrigjuar këtë. “Kryeministri Haradinaj po qëndron se beson në taksën 100 për qind, por pse e do pushtetin. E ka kuptuar se po e hoqi taksën, do ta heqin nga pushteti. Prandaj po e zgjat sa mundet qëndrimit në pushtet që t’i jap kohë ministrit të asfaltit, Palë Lekaj. Në marsin e vitit të kaluar ky kryeministër ndodhej në udhëkryq… Ky kryeministër e dorëzoi shtetin e Kosovës tek gabimi i Murat Mehës, dhe tha se më vonë do ta korrigjojë këtë”, u shpreh ai.

Kurti ka thënë se Serbia shpenzon për ushtri më shumë se të gjitha pesë shtetet e Ballkanit, ndërsa është shprehur se krerët e vendit nuk kërkojnë më shumë se sa liberalizimin e vizave.

“Është e dëmshme për dinjitetin e qytetarit të Kosovës kur presidenti, kryeministri e kryeparlamentari kërkojnë veçse liberalizim të vizave. Le ta bëjë këtë ministrja e Integrimeve Evropiane, edhe ashtu të gjithë këta janë mashtrues e gënjeshtarë. Le të gënjejë njëri prej tyre, e dimë që vlen edhe për tjerët. Për liberalizim të vizave këta ia hoqën shtetit të Kosovës 8 mijë e 200 hektarë”, tha Kurti.

Ai ka folur edhe për ekonominë e vendit, me ç’rast tha se Kosova ka ndërmarrje ekonomike por nuk ka ekonomi ndërmarrëse, ku mbi 90 për qind janë kompani me më pak se 10 punonjës.

Kurti shtoi se kjo qeveri nuk e ka rritur vetëm korrupsionin, por edhe borxhin, i cili është tejkaluar me mbi 1 miliard euro.

Sipas tij, ekonomia e vendit zotërohet nga kompanitë e pushtetit.

“Ekonomia kosovare është e kompanive të pushtetit, në vend se pushteti të jetë jashtë ekonomisë së kompanive. E në krye të tyre janë kompanitë si puna e Devollëve, që duan t’ia punojnë Telekomit të Kosovës, e ta falimentojnë ndërmarrjen që i dha gjysmë miliard euro dividendë pushtetit të Kosovës… Kjo qeveri bie lule, por jo edhe fruta, ose më saktë, ndonjë lule qytetarëve, kurse frutat familjarëve. Po dështon shteti si Republikë me këta. Hajnat janë bërë bashkë në PAN, pikërisht sepse janë në panik, shahen ditë e natë por rrinë bashkë sepse ndjehen të pasigurt”, tha Kurti.

Ndërsa Hidajet Hyseni kujtoi se mbledhja e sotme e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka qëlluar të jetë në një datë të rëndësishme, pasi 5 maji është Dita e Dëshmorëve.

Sipas tij, mënyra më e mirë për të nderuar dëshmorët, është që të përcillet ideali i tyre.

“Lëvizja Vetëvendosje ka arsye që të shihet sy më sy me dëshmorët ballëlart, pikërisht sepse realizon atë që thonë për kombin… ‘Atdheu është gjaku i derdhur i dëshmorëve dhe përpjekjeve për realizimin e aspiratave të tyre’. Uroj që në përvjetorët tjerë të jemi më të bashkuar rreth idealeve të dëshmorëve. Urojmë që të ruhet dita e madhe e majit”, u shpreh ai.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon punimet e mbledhjes së Përgjithshme./21Media