Deputeti Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti: Mund ta Shpëtojmë Haradinajn nga Lista Serbe Por Jo nga Vetvetja

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, komentoi sot pozicionin e kryeministrit Ramush Haradinaj në raport me zhvillimet e djeshme në veri të vendit, të cilat rezultuan me arrestimin e më vonë deportimin e Marko Gjuriqit, drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

Sipas Kurtit, Haradinaj nuk tha qe dha urdhër për aksionin e djeshëm.

“Ai tha qe e ka monitoruar gjendjen, por këtë e kanë bërë të gjithë qytetarët”, shtoi Albin Kurti.

Sipas tij, me veprimet e djeshme, presidenti Thaçi e konfirmoi se nuk ia ka nevojën Ramush Haradinajt. “Para demarkacionit Thaçi ia kishte nevojën Haradinajt, tash është e kundërta”, theksoi ai.

Albin Kurti tha se Vetëvendosje beson se 4 gjëra janë të rëndësishme:

1) të zëvendësohen ministrat me ata që e njohin Republikën, si Nenad Rashiq, dhe të fillojë dialogu me qytetarët serbë në Kosovë.

2) Zajednica ka vdekur, ajo nuk duhet ringjallur. Marrëveshje e 2013 është antidemokratike dhe raciste.

3) nuk na nevojitet një Qeveri konsensuale por një qëndrim konsensual. Ne kemi nevojë për strategji shtetërore kundrejt Serbisë. Nuk mund të lejojmë që Serbia të hyjë në mes nesh.

4) Nuk ka kuptim qe të arrestohet e të deportohet Gjuriq dhe të instalohet Zajednica.

Sipas Albin Kurtit, Lista Serbe është produkt i dialogut.

“Ne duhet të dalim prej këtij konteksti ku në Bruksel Kosova është temë e jo palë”, theksoi Kurti.

Albin Kurti tha se mund ta shpëtojnë kryeministrin Haradinaj nga Lista Serbe, por nuk mund ta shpëtojnë nga vetvetja.

“Pas ratifikimit të Demarkacionit ai nuk është vetvetja”, shtoi lideri i Vetëvendosjes.

“Ne dëshirojmë ndryshime në Kosovë, mirëpo nuk besojmë se duhet t’i organizojmë mocion z. Haradinaj pse e la lista Serbe”, shtoi Kurti.

“Haradinaj është zhvlerësuar nga dueti Thaçi -Maxhuni, ndërsa një javë më parë ai zhvlerësoi vetveten”, theksoi po ashtu Albin Kurti.

“Nuk kemi nevojë për qeveri konsensuale, por kemi nevojë ta ruajmë Kosovën nga bosnjëzimi. Vetëvendosje është e bindur se më e rëndësishme është bashkimi i Mitrovicës se sa ulësja në OKB”, vlerësoi ai.