Albin Kurti në Kompleksin Memorial të Reçakut - Foto: KALLXO.com

Kurti: Masakra e Reçakut – Shtysa Kryesore e Ndërhyrjes së NATO-s

Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, të shoqëruar edhe nga ish-shefi i Misionit të OSBE-së, William Walker, kanë bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial të Reçakut.

Me këtë rast, Kurti tha se masakra e Reçakut u shndërruar në shtysën kryesore për ndërhyrjen e NATO-s kundër Jugosllavisë dhe Serbisë.

“18 vjet më vonë vazhdon të vonohet drejtësia. Shumë prej kriminelëve që urdhëruan e ekzekutuan masakrën e Reçakut edhe janë të gjallë edhe janë të lirë e madje janë në pushtet të Serbisë“, tha ish-lideri i Vetëvendosjes.

“Liria pa drejtësi mbetet e gërryer së brendshmi dhe e gjymtuar së jashtmi. E vërteta e Reçakut thërret për mobilizim të popullit dhe të shtetit tonë për drejtësi për këto familje dhe për mbarë kombin shqiptar”, tha Kurti.

18 vjet më parë, në këtë fshat të Shtimes, forcat policore e paramilitare serbe kryen një masakër të tmerrshme, duke vrarë 45 civilë.

ish-shefi i OSBE-së, William Walker, dhe zyrtarë të Vetëvendosjes në Reçak - Foto: KALLXO.com
ish-shefi i OSBE-së, William Walker, dhe zyrtarë të Vetëvendosjes në Reçak – Foto: KALLXO.com

Dje, ndërkaq, në Reçak është përuruar shtatorja e ambasadorit William Walker, i cili më 15 janar 1999 i tregoi botës mbarë masakrën e llahtarshme të kryer nga forcat serbe në këtë fshat.

http://kallxo.com/william-walker-shpetimtari-ne-bronx/

Redaktoi: Naser Sertolli