Foto: Kallxo.com

Kurti e Konjufca dorëzojnë kallëzim penal ndaj Thaçit e Veselit për ‘Syrin e Popullit’

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, kanë dorëzuar sot në Gjykatën e Prishtinës një kallëzim penal ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për dëshmitë e tyre të dhëna në një seancë gjykimi ndaj organizatës ‘Syri i Popullit’, para katër muajsh.

Për Kurtin, Thaçi e Veseli, kur kanë dalë për të dëshmuar para gjykatës, kanë bërë “deklarime të rrejshme nën betim”.

“Këta dy njerëz që ndodhen në pozitat më të larta, kanë rënë nën pozitat më të ulëta”, tha Kurti sot para ndërtesës së Gjykatës në Prishtinë, pasi bashkë me Konjufcën dorëzuan kallëzimin penal.

Më 28 dhjetor 2018, Thaçi në dëshminë e tij në gjykatë kishte thënë se Kurti e Konjufca qëndrojnë para organizatës e cila akuzohet se e plagosi avokatin kosovar, Azem Vllasi.

Në mesin e të akuzuarve në këtë rast është edhe ish-zyrtari i VV-së, Sadri Ramabaja.

https://kallxo.com/hashim-thaci-pas-organizates-qe-plagosi-azem-vllasin-qendron-albin-kurti-e-glauk-konjufca/

Ndërsa Kadri Veseli, e kishte quajtur organizatën ‘Syri i Popullit’ si ‘krah i armatosur i Vetëvendosjes’.

https://kallxo.com/kadri-veseli-per-syrin-e-popullit-keta-jane-krahu-i-armatosur-i-vetevendosjes/

Por sot Glauk Konjufca tha se deklarimet e Thaçit e Veselit në atë seancë janë “tendencë politike që përmes kontrollimit të drejtësisë ta eliminojnë Lëvizjen Vetëvendosje”.

“Albini dhe unë padrejtësisht dhe me shpifje jemi lidhur me një organizatë që pretendohet se është terroriste”, tha Konjufca.

Ai tha se Presidenti Thaçi e ka urdhëruar gjykatën që të zgjerohet akuza ndaj kësaj organizate duke e përfshirë edhe atë e Kurtin në këtë rast.

“Kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike e sistemit të drejtësisë”, tha Konjufca.