Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti: Duhet të bëjmë çmos ta ndalim ‘Zajednicën’

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se duhet bërë çmos që të mos lejohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ai vazhdon ta quajë “Zajednicë“ dhe të mos lejohet kështu bosnjëzimi i Kosovës.

Këto komente Kurti i bëri në mbledhjen e 33-të të Këshillit të Përgjithshëm të subjektit që ai drejton.

Kurti ndër të tjera tha se “ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë 3 muajt e fundit nuk skandalizojnë më sepse janë vazhdim i së njëjtës dhe nuk kemi pritur ndryshe nga këta pushtetarë“.

“Spektakli i organizuar me arrestimin e Gjuriqit erdhi pas darkave të përzemërta te Thaçit me Vuçiqit e menjëherë pasi e  arrestuan Gjuriqin atë e lëshuan dhe e pajisen me leje për të ardhur sërish ne Kosovë sa herë që të dojë e të dirigjojë me strukturat e Serbisë ne Kosovë”, theksoi kreu i VV-së.

I vetmi produkt i atij arrestimi, sipas tij, ishte reagimi i Listës Serbe që tha se do të veprojë njëanshëm për të ndërtuar ‘Zajednicen’.

Lidhur me Asociacioni, Albin Kurti tha se nuk është organizatë joqeveritare por organizatë qeveritare “por jo e Qeverisë tonë, por e qeverisë së Serbisë me miratimin dhe bekimin e Qeverisë së Kosovës”.

“Si zakonisht bëjnë taktika për t’iu shmangur reagimit popullor. Dëshirojnë ta sjellin ‘Zajednicen’ në gusht kur Kuvendi është ne pushim e kur qytetarët janë të shpërqendruar nga politika sepse janë duke pritur të afërmit e tyre që vinë nga jashtë vendit, janë duke organizuar dasma apo kanë shkuar në plazh”, theksoi  Kurti.

“Politikë e ulët e qeverive frikacake. Këto janë qeveria e tanishme sikurse ato të mëparshmet që sjellin vendime që shkatërrojnë sovranitetit e Kosovës”, theksoi Kurti.