Shkrirja e akullnajave në Zvicër po zbulon mbetje të njerëzve dhe aeroplanëve

Temperaturat në rritje po i shtyjnë akullnajat e Zvicrës të shkrijnë dhe t’i zbulojnë sekretet e tyre, me alpinistët këtë verë që mund të kenë mbetje njerëzore të paidentifikuara dhe rrënojat e aeroplanëve, të humbura për më shumë se gjysmë shekulli.

Dy alpinistë francezë gjetën kocka njerëzore të mërkurën e kaluar teksa po ngjiteshin në akullnajën Chessjen në kantonin jugor të Valais, konfirmoi një zëdhënës i policisë të hënën. Mbetjet skeletore u tërhoqën nga akullnaja me helikopter në të njëjtën ditë.

Eshtrat u zbuluan pranë një shtegu të vjetër që ra në përdorim rreth 10 vjet më parë, tha Dario Andenmatten, kujdestari i kasolles malore Britannia nga ku shumë alpinistë nisin ngjitjet e tyre në rajon. Dy alpinistët ndoshta e bënë zbulimin e tyre vetëm sepse bazoheshin në një hartë të vjetër.

Meqenëse kishte mbetur pak nga trupi përveç kockave të zhveshura, Andenmatten tha se ai priste që personi të kishte vdekur “diku në vitet 1970 ose 80”.

Një javë më parë, një trup tjetër ishte gjetur në akullnajën Stockji pranë vendpushimit të Zermatt, në veriperëndim të Matterhorn. Në të dyja rastet, policia e Valais tha se procesi i identifikimit të mbetjeve njerëzore përmes analizës së ADN-së ishte ende duke u zhvilluar dhe do të zgjasë “disa ditë të tjera”.

Policia në rajonin e Alpeve mban një listë me rreth 300 raste të personave që janë zhdukur që nga viti 1925. Ajo përfshin milionerin e zinxhirit të supermarketeve Karl-Erivan Haub – një shtetas i trefishtë gjerman, rus dhe amerikan që u zhduk në rajonin Zermatt gjatë stërvitjes për një turne skijimi më 7 prill 2018. Mediat gjermane e kanë ndërlidhur trupin e zbuluar në akullnajën Stockji me Haub, i cili u shpall ligjërisht i vdekur në 2021.

Megjithatë, një nga dy alpinistët që e zbuluan trupin, Luc Lechanoine, 55 vjeç, i kanë thënë gazetës Blick se rrobat që gjetën ishin në ngjyrë neoni, “në stilin e viteve ’80”. Kufoma ishte mumifikuar dhe e dëmtuar pak, “por pothuajse e plotë”.

Në javën e parë të gushtit, një udhërrëfyes malor i zbuloi rrënojat e një avioni që u rrëzua mbi akullnajën Aletsch, pranë majave malore Jungfrau dhe Mönch, në qershor të vitit 1968.

“Nga larg, mendova se po shikoja dy çanta shpine”, tha Dominik Nellen, 38 vjeç. Inspektimi më i afërt zbuloi se objektet ishin pjesë të rrënojave të një avioni Piper Cherokee që u rrëzua në zonë më 30 qershor 1968, duke mbajtur në bord një mësues, një oficer kryesor mjekësor dhe djali i tij, të gjithë nga Cyrihu. Trupat u gjetën në atë kohë, por rrënojat jo.

Pas një dimri me relativisht me pak reshje bore, Alpet zvicerane kanë përjetuar tashmë dy valë të nxehta të verës. Në korrik, autoritetet i këshilluan alpinistët që të mos ngjiten në Matterhorn për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta, të cilat arritën gati 30C në Zermatt.

Gjatë valës së të nxehtit të korrikut, lartësia në të cilën ngriu uji u mat në një nivel rekord prej 5,184 metrash, krahasuar me nivelin normal të verës prej 3,000-3,500 metra./The Guardian