Nëntënjakët nga shteti afrikan i Malit në gjendje perfekte në ditëlindjen e tyre të parë

Nëntënjakët e vetëm në botë të lindur në të njëjtën kohë – janë “me shëndet të përsosur” ndërkohë që po e festojnë ditëlindjen e tyre të parë, ka thënë babai i tyre për BBC.

“Tani po shkojnë zhagas të gjithë. Disa rrinë ulur dhe madje mund të ecin nëse mbahen për diçka,” tha Abdelkader Arby, një oficer në ushtrinë Maliane.

Ata janë ende nën kujdesin e klinikës në Marok ku edhe kanë lindur.

Ai tha se edhe nëna e tyre Halima Cissé, 26 vjeçe, po ia del mbanë.

“Nuk është e lehtë, por është e mrekullueshme. Edhe nëse ndonjëherë është e lodhshme, kur i shikon të gjitha foshnjat me shëndet të përsosur, [në një rresht] nga e djathta në të majtë ne jemi të lehtësuar. Ne harrojmë gjithçka,” tha ai për BBC Afrique.

Sapo është kthyer në Marok për herë të parë në gjashtë muaj, së bashku me vajzën e tyre të madhe, Souda, tri vjeçare.

“Jam i tejkënaqur që jam ribashkuar me gjithë familjen time – gruan dhe fëmijët”.

Ata thjesht do të kenë një festë të vogël ditëlindjeje me infermieret dhe me disa banorë nga ndërtesa e tyre e banimit, tha zoti Arby.

“Asgjë nuk është më i mirë se viti i parë. Do ta kujtojmë këtë moment të madh që do të përjetojmë”.

Nëntënjakët e kanë thyer Rekordin Botëror Guinness për numrin më të madh të fëmijëve të lindur në një lindje të vetme e të cilët kanë mbijetuar.

Përpara lindjes më 4 maj 2021, zonja Cissé u dërgua në Marok nga qeveria e Malit për kujdes të specializuar.

Lindjet e shumëfishta janë të rrezikshme dhe nënat me më shumë se katër fetuse në të njëjtën kohë këshillohen të ndërpresin disa në vendet ku aborti është i ligjshëm.

Ekzistojnë gjithashtu rreziqe që foshnjat mund të kenë probleme shëndetësore për shkak të lindjes së tyre të parakohshme, të tilla si sepsë dhe paralizë cerebrale.

Zonja Cissé dhe fëmijët aktualisht jetojnë në atë që babai i tyre e përshkroi si një “banesë të mjekuar” që u përket pronarëve të klinikës Ain Borja në Casablanca ku kanë lindur foshnjat.

“Ka infermiere që janë këtu, përveç gruas sime, që ndihmojnë për t’u kujdesur për fëmijët”, tha zoti Arby.

“Klinika u ka dhënë atyre një menu ku thuhet se çfarë duhet t’u japin nëntënjakëve për të ngrënë gjatë gjithë kohës – natën dhe ditën”, vazhdoi ai.

Foshnjat – pesë vajza dhe katër djem – lindën në javën e 30-të sipas ministres së shëndetësisë së Malit, Fanta Siby. Ata peshonin midis 500 g dhe 1 kg tha profesori Youssef Alaoui, drejtor mjekësor i klinikës Ain Borja për agjencinë e lajmeve AFP në kohën e lindjes.

Ata janë lindur me prerje cezariane.

Djemtë quhen Mohammed VI, Oumar, Elhadji, Bah, ndërsa vajzat quhen Kadidia, Fatouma, Hawa, Adama dhe Oumou.

Secili ka një personalitet unik, tha babai i tyre.

“Ata të gjithë kanë karaktere të ndryshme. Disa janë të qetë, ndërsa të tjerët bëjnë më shumë zhurmë dhe qajnë shumë. Disa duan të merren gjatë gjithë kohës. Ata janë të gjithë shumë të ndryshëm, gjë që është krejtësisht normale”.

Zoti Arby e falënderoi gjithashtu qeverinë e Malit për ndihmën e saj.

“Shteti i Malit ka vënë gjithçka në vend për kujdesin dhe trajtimin e nëntë foshnjave dhe nënës së tyre. Nuk është aspak e lehtë, por është e bukur dhe diçka ngushëlluese”, tha ai.

Ata nuk kanë qenë ende në Mali, por tashmë janë shumë të njohur në vend, tha babai i tyre.

“Të gjithë janë shumë të etur për t’i parë foshnjat me sytë e tyre – familja e tyre, miqtë, fshati ynë i lindjes, i gjithë vendi”.

Ai gjithashtu ka një mesazh për çiftet që përpiqen të kenë fëmijë: “Shpresoj që Zoti t’i bekojë të gjithë ata që nuk kanë ende fëmijë – që ata të mund të kenë atë që ne, prindërit e nëntënjakëve e kemi aktualisht. Është diçka e bukur, një thesar i vërtetë”./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala