Nëntënjakët e vetëm në botë kthehen në vendin e tyre në Mali

Nëntënjakët e vetëm në botë të lindura në të njëjtën kohë – janë kthyer të sigurt në shtëpinë e tyre në Mali pasi kaluan 19 muajt e parë të jetës së tyre në Marok.

Foshnjat nëntënjake thyen Rekordin Botëror Guinness për numrin më të madh të fëmijëve të lindur në një lindje të vetme dhe të mbijetuar.

Përpara lindjes në maj të vitit 2021, nëna Halima Cissé, tani 27 vjeçe, u dërgua në Marok për kujdes të specializuar.

Para se të ktheheshin, nëntënjakët kishin jetuar me mbështetje mjekësore në Casablanca.

Foshnjat – pesë vajza dhe katër djem – lindën me prerje cezariane në javën e 30-të, sipas autoriteteve të Malit vitin e kaluar.

Vajzat – të quajtura Kadidia, Fatouma, Hawa, Adama dhe Oumou – dhe djemtë – të quajtur Mohammed VI, Oumar, Elhadji dhe Bah – peshonin midis 500 g dhe 1 kg në lindje, thotë Prof Youssef Alaoui, drejtor mjekësor i klinikës ku kanë lindur nëntënjakët, për agjencinë e lajmeve AFP.

Ka pas rrezik të shfaqjes së problemeve shëndetësore për shkak të lindjes së parakohshme dhe muajt e parë të jetës i kalonin në spital.

Më pas ata u transferuan në një apartament ku kanë qenë në kujdes gjatë gjithë kohës nga klinika Ain Borja.

Në fillim të këtij viti, në ditëlindjen e tyre të parë, babai i tyre Abdelkader Arby tha se secili prej tyre ka një personalitet unik.

“Të gjithë kanë karaktere të ndryshme. Disa janë të heshtur, ndërsa të tjerët bëjnë më shumë zhurmë dhe qajnë shumë. Disa duan t’i marrim në krah gjatë gjithë kohës. Janë të gjithë shumë të ndryshëm, gjë që është krejtësisht normale”./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala