Mijëra foka të ngordhura shfaqen në bregun Kaspik të Rusisë

Rreth 2,500 foka të rrezikuara janë gjetur të ngordhura në bregdetin Kaspik të Rusisë, njoftoi të dielën agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti, duke cituar autoritetet në rajonin e Kaukazit të Veriut.

Fokat kaspike, të vetmit gjitarë të gjetur në Detin Kaspik, janë klasifikuar si të rrezikuara në listën e kuqe të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) që nga viti 2008.

Fokat u shpërndanë në brigjet e republikës ruse të Dagestanit, përgjatë Detit Kaspik, pjesa më e madhe e ujit pa dalje në det në botë, i cili kufizohet nga pesë vende: Azerbajxhani, Irani, Kazakistani, Rusia dhe Turkmenistani.

Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Burimeve Natyrore të Dagestanit ka deklaruar se fokat kanë ngordhur nga “faktorët natyrorë” dhe paralajmëroi se numri i fokave të ngordhura ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Duke gjykuar nga pamja e tyre, fokat ngordhën rreth dy javë më parë dhe nuk ka “asnjë shenjë vdekjeje të dhunshme, asnjë mbetje rrjetash peshkimi”, thotë njoftimi i ministris së Burimeve Natyrore të Dagestanit

Sipas RIA, inspektorët po patrullojnë vijën bregdetare në kërkim të fokave të tjera të ngordhura. Ndërkohë, specialistë nga Qendra Mjedisore Kaspiane po i analizojnë mostrat nga fokat e ngordhura për ta identifikuar shkakun e vdekjes.

Ngordhjet masive vijnë pasi më shumë se 140 foka të Kaspikut u gjetën të ngordhura në plazhet kazake të Detit Kaspik në fillim të këtij viti, sipas KASPIKA, një agjenci për ruajtjen e fokave të Kaspikut.

Sipas IUCN, popullata e fokave të Kaspikut ka vuajtur nga gjuetia e tepërt, degradimi i habitatit dhe ndryshimet klimatike.

Pas këtij incidenti, ministria e Dagestanit tha se numri i përgjithshëm i fokave të Kaspikut në zonë mbetet i qëndrueshëm, “duke filluar nga 270,000 në 300,000”.

Duke u ushqyer kryesisht me peshq, fokat, të cilat mund të arrijnë një gjatësi prej më shumë se 1.6 metra dhe peshojnë deri në 100 kilogramë , janë në krye të piramidës ushqimore dhe nuk kanë armiq natyrorë si të rritur, thotë agjencia e lajmeve RIA Novosti./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala