Maja më e lartë e Afrikës mbulohet me internet të shpejtësisë së lartë

Afrika nuk është saktësisht një kontinent që do ta lidhnit me qasje të shpejtë në internetin me brez të gjerë. Megjithatë, Afrika është gjithashtu një kontinent i vizituar nga shumë turistë në kërkim të aventurës. Çdo vit mijëra njerëz fillojnë të ngjiten në malin Kilimanxharo, pikën më të lartë malore në këtë kontinent.

Zyrtarët e Tanzanisë janë të vetëdijshëm se në mesin e mijërave që ngjiten, një numër i vogël janë ata që e shijojnë malin dhe një numër në rritje janë ata që e bëjnë këtë për famë në rrjetet sociale. Kështu ata vendosën t’ua lehtësonin këtë aspekt.

Siç raportohet nga The Washington Post, për ta inkurajuar turizmin në malin Kilimanxharo, autoritetet në Tanzani kanë vendosur të instalojnë internetin me brez të gjerë me shpejtësi të lartë në vetë këtë mal. Kështu, kushdo që ngjitet në këtë majë mali, mund të shijojë internetin me shpejtësi të lartë deri në afërsisht 3500 metra mbi nivelin e detit. Është planifikuar që deri në fund të vitit të zgjerohet interneti me brez të gjerë në majën e Uhuru, pra në 5,895 metra mbi nivelin e detit.

Megjithëse motivi kryesor për vendosjen e internetit me brez të gjerë është tërheqja e turistëve, drejtuesit e Tanzanisë theksojnë gjithashtu se ai do të sigurojë siguri më të mirë për të gjithë ata njerëz që po ngjiten.

Por edhe pse turizmi në Tanzani sjell miliarda dollarë, jo të gjithë janë të kënaqur me vendimin e qeverisë për të investuar në ndërtimin e një rrjeti interneti në një mal, ndërkohë që njerëzit në qytete dhe zona rurale vetëm  mund të ëndërrojnë për shpejtësi të tilla.

Kush e di, mbase kur të vërshojnë turistët me “selfie”, popullsia vendase do të marrë edhe internetin./ Washington Post

Përgatiti: Nuhi Shala