Foto: Komuna e Gjilanit

Llashtica bëhet me Ambulancë në vlerë 73 mijë euro

Në Gjilan është inauguruar Ambulanca e Mjekësisë Familjare në fshatin Llashticë. Sipas komunës kjo ka qenë kërkesë e kahershme e banorëve të këtij fshati.

Pas ceremonisë së prerjes së shiritit, kreu i Komunës, Lutfi Haziri, tha se këtë Ambulancë ia dedikon dy mjekëve të vjetër që vijnë nga Llashtica, Shaban Rexhepi dhe Jonuz Cani.

“Në këtë të premte të bardhë, jam shumë i lumtur që u realizua ky projekt kaq i rëndësishëm për banorët këtu. Këtë Ambulancë, ia dedikoj dy mjekëve më të vjetër të Llashticës, dr. Shaban Rexhepi dhe dr. Jonuz Cani, të cilët kanë shërbyer kudo si mjek dhe bartin testamentin e mjekut të mirë. Punët e mira duan kohë dhe gradualisht po shkojmë drejt mbylljes”, ka thënë Haziri.

Ai ka shfaqur shpresën që ky investim dhe të tjerat do të ruhen nga Këshilli i fshatit, derisa ka shfaqur shpresën se mjeku shumë shpejtë të jetë aty pesë ditë në javë.

“Ky nuk është projekti i fundit që po realizohet në këtë fshat, por do të ketë vazhdimësi”, ka thënë kryetari i Gjilanit.

Kryetari i Këshillit lokal, Ekrem Hasani dhe mjeku Shaban Rexhepi e kanë falënderuar kryetarin Haziri për realizimin e Ambulancës së Mjekësisë Familjare.

Ndryshe, kosto e ndërtimit të Ambulancës së Mjekësisë Familjare është 73 mijë euro.