Intalacioni i famshëm artistik me banane hahet nga një vizitor i muzeut në Seul

Imagjinojeni skenën: Jeni të uritur dhe muzeu të cilit jeni duke e vizituar ka një banane të ngjitur në mur. Të shkojë në djall instalacioni i artit. Stomaku dëshiron atë që dëshiron stomaku…

Kur mendoni për një vakt ushqimi të shtrenjtë, mendja juaj ndoshta shkon te një vakt ushqimi Michelin me tre yje ose një biftek i gatuar në mënyrë perfekte me kaviar Beluga në një restorant të bukur në Dubai.

Mirëpo një student nga Koreja e Jugut e ka ngrënë një banane që mund të jetë dëshira më e shtrenjtë që ai ka pasur ndonjëherë.

Në të vërtetë, studenti  i quajtur Noh Huyn-soon në Universitetin Kombëtar të Seulit e ka ngrënë një banane që ishte pjesë e një instalacioni nga artisti vizual italian Maurizio Cattelan.

Vepra artistike e quajtur “Komediani”, pjesë e ekspozitës së Cattelan “WE”, përbëhej nga një banane e pjekur e ngjitur në një mur në Muzeun e Artit Leeum të Seulit.

Mësohet se studenti e ka shkëputur bananen, e ka qëruar dhe e ka ngrënë. I njëjti më pas e ka vendosur lëkurën e bananes përsëri në mur duke përdorur shirit ngjitës. Kur zyrtarë nga muzeu i kërkuan t’i shpjegonte veprimet e tij, ai u përgjigj se ishte i uritur pasi e kishte humbur mëngjesin.

Muzeu më vonë vendosi një banane të re në të njëjtin vend (diçka që bëhet çdo tre ditë sipas udhëzimeve të Cattelan) dhe u tha mediave se nuk do të kërkojë dëmshpërblim kundër studentit, fatmirësisht për të.

Një transmetues lokal i kërkoi Noh-t ta shtjellonte aktin dhe studenti tha se veprimet e tij mund të interpretoheshin gjithashtu si art. Ai deklaroi se e sheh punën e Cattelan si një rebelim kundër një autoriteti të caktuar.

“Mund të ketë një rebelim tjetër kundër rebelimit,” tha ai. “Dëmtimi i një vepre arti mund të shihet edhe si një vepër arti, mendova se do të ishte interesante… A nuk është ngjitur atje për t’u ngrënë?”

Kur i treguan për incidentin, autori i instalacionit me banane Cattelan u përgjigj: “Nuk ka problem fare”.

Në fund të fundit, kjo nuk është hera e parë që bananet e përdorura për punën e Cattelan hahen nga ndonjë vizitor. Në vitin 2019, artisti i performancës David Datuna tërhoqi bananen nga muri pasi kjo vepër arti u shit për 120,000 dollarë (rreth 109,000 euro) në Art Basel në Miami.

Banania u zëvendësua me shpejtësi dhe nuk u ndërmor asnjë veprim tjetër./Euronews