100-vjeçarja italiane e ripërtëriu lejen e vozitjes

Candida Uderzo thotë se i pëlqen të jetë autonome pasi tani ajo dhe, të paktën, dy njëqindvjeçarë të tjerë konsiderohen ende të përshtatshëm për të vozitur në Itali.

Një gruaje italiane i është rinovuar leja e vozitjes në moshën 100-vjeçare, duke u bërë, të paktën, e treta njëqindvjeçare italiane në vitet e fundit, e cilësuar si e përshtatshme për ta drejtuar timonin e automjetit.

Candida Uderzo mori një patentë të re të vozitjes  pasi kaloi një test për sy në një shkollë automobilistike në provincën veriore të Vicenzës.

Njëqindvjeçarja ka deklaruar se i pëlqen të jetë autonome dhe të mos i bëjë presion djalit të saj për ta vozitur atë.

“Ky rinovim më bën të lumtur dhe do të më bëjë të ndihem pak më elirë gjithashtu”, tha Uderzo për Corriere della Sera. “Jam me fat, jam 100 vjeç dhe të jem kaq e shëndetshme është një befasi edhe për vetën time. Kurrë nuk marr tableta, vetëm hapa gjumi herë pas here”.

Ajo tha se të shikuarit e saj është aq i mirë sa mund të lexojë gazetën pa pasur nevojë për syze.

Popullsia njëqindvjeçare e Italisë është ndër më të lartat në Evropë dhe numri i njerëzve që arrijnë moshën historike vazhdon të rritet: sipas të dhënave të publikuara në fillim të majit nga Istat, agjencia kombëtare e statistikave, Italia është shtëpia e 20,456 njëqindvjeçare, nga 14,456 në 2019.

Mirëpo është e paqartë se sa prej tyre janë ende aktivë në vozitje. Licencat për vozitje pas moshës 80 rinovohen çdo dy vjet, me shoferët që duhet të sigurojnë një certifikatë mjekësore për t’u siguruar se janë të aftë fizikisht dhe mendërisht.

Një burrë në Siçili, i cili mbushi 100 vjeç vitin e kaluar, festoi rinovimin e patentës duke blerë një veturë të re, duke deklaruar për mediat lokale të asaj kohe se nuk kishte pasur kurrë një aksident në jetën e tij. Një burrë në rajonin e Campania-s, i cili gjithashtu festoi 100-vjetorin e tij vitin e kaluar, tha se nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga vetura e tij.

Uderzo tha se pendimi i saj i vetëm në jetë ishte humbja e burrit të saj kur ishte relativisht e re. “Por vendosa që të qëndroja gjallë do të thoshte ta shijoja sa më shumë që të ishte e mundur”, tha ajo për Corriere. “Fillova të bëj shëtitje të gjata me miqtë, më ndihmoi të përballoja pikëllimin. Pasi dola në pension, iu bashkova një grupi shëtitës dhe që atëherë nuk kam humbur asnjë shëtitje. Çdo të diel në orën 6 të mëngjesit jam gati për shëtitje”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala